Shqipëri, forcat ushtarake angazhohen për masat kundër koronavirusit

Forcat ushtarake në Shqipëri janë angazhuar në qytete të ndryshme të vendit në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Mjetet dhe forcat e Ushtrisë së Shqipërisë së bashku me patrullat policore qarkullojnë në rrugët e Tiranës, por edhe qyteteve të tjera të vendit, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e rregullave për kufizimin e lëvizjes së njerëzve dhe automjeteve.

Patrullat ushtarake dhe ato policore do të jenë në lëvizje të vazhdueshme, ndërsa autoritetet kanë vendosur ndalimin e qarkullimit për qytetarët dhe automjetet sipas orareve të përcaktuara, me përjashtim të disa kategorive.

Forcat ushtarake gjithashtu janë angazhuar edhe për shpërndarjen e produkteve ushqimore dhe ndihmave të tjera për pensionistët dhe familjet në nevojë.

Kujtojmë se sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në Shqipëri numri i rasteve me koronavirusin e ri(COVID-19) është rritur në 76, duke përfshirë edhe dy personat që kanë ndërruar jetë.

Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Që nga shpërthimi në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, sëmundja, e njohur si COVID-19, ka shkaktuar mijëra të vdekur në mbarë globin. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button