Thaçi porosit: Mos u thirrni në emrin tim

Kryeministri Hashim Thaçi i ka bërë bashkë dy net rresht tre pretendentët për kryetar të Degës së PDK-së në Prishtinë për t’ua dhënë një porosi.

Shemsi Veselit, Lirak Çelajt dhe Memli Krasniqit u ka thënë që të mos thirren në emër të tij gjatë garës për ta marrë drejtimin e Degës, sepse asnjëri nga ta nuk është më i preferuar kundrejt të tjerëve.

Marrjen e këtij mesazhi e ka konfirmuar së paku Çelaj, në orët e mbrëmjes së të mërkurës.

“E vërteta është se ne jemi takuar me kryetarin e partisë dhe ai na ka treguar se personalisht nuk ka të preferuar për kryetar Dege në Prishtinë, por pajtohet plotësisht me atë që e fiton garën”, ka thënë Çelaj.

Tre rivalët, në fakt, konsiderohen të jenë të afërt me kreun e partisë, raporton “Koha”.

“Ai (Thaçi v.j.) na ka apeluar të gjithëve që të mos thirremi në emër të tij, pasi të treve na ka shokë. Shkurt na ka thënë se cili të fitojë për të do të jetë legjitimi”, ka shtuar Çelaj.

Dy takimet janë zhvilluar në kohën kur në media kanë filluar të jepen opinione se njëri nga treshja është “favoriti” i kryeministrit.

“Kryetari na ka lutur që ta bëjmë një garë fer dhe t’ua lëmë zgjedhësve të vendosin se cilin duan ta kenë udhëheqës”, ka theksuar Çelaj.

“Koha Ditore” ka insistuar të marrë edhe qëndrimet e Veselit dhe Krasniqit, por asnjëri nuk ka shprehur gatishmëri për t’iu përgjigjur interesimit të gazetës.

Kuvendi i Degës së PDK-së në Prishtinë ka qenë i planifikuar për t’u mbajtur më 15 dhjetor, por është shtyrë për pesë ditë. Të enjten, Kuvendi i Degës nuk pritet ta bëjë zgjedhjen e kryetarit, por vetëm atë të Këshillit drejtues dhe të delegatëve për Kongres. Këshilli pastaj e zgjedh Kryesinë e kjo e fundit kryetarin.

Dega e Prishtinës pritet të ketë përfaqësim prej 20 deri 25 anëtarë në Kongres të Përgjithshëm të partisë, i cili orientimisht pritet të mbahet nga fundi i janarit të vitit të ardhshëm.

Kryetari aktual i Degës, Ramadan Avdiu, nuk ka shpërfaqur ambicie për t’u rizgjedhur. Ndonëse është zëvendësministër për Financa, ai pretendon të emërohet konsull me rang ambasadori në Gjenevë të Zvicrës.

Pretendime për ta marrë drejtimin e degës së partisë në kryeqytet nuk ka treguar as Blerand Stavileci, ndonëse pas formimit të Kabinetit për Qeverisje të mirë të Prishtinës, është parë si kandidatë potencial për të garuar për kryetar të kësaj komune.

Gatishmërinë për t’u sfiduar me kreun aktual të Prishtinës, Isa Mustafa, ai e pati shpërfaqur edhe në një intervistë për KD-në.
Ndërkohë, tre kandidatët që ia kanë mësyrë kreut të Degës në Prishtinë janë figura të njohura publike.

Shemsi Veseli është shef i Grupit parlamentar të PDK-së në Komunën e Prishtinës dhe zëvendësministër për Forcën e Sigurisë të Kosovës. Lirak Çelaj ka qenë këshilltar i ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, dhe ministër për Kulturë në Qeverinë në hije të PDK-së. Me vokacion është aktor. Një kohë e ka drejtuar Tetarin Kombëtar. Memli Krasniqi ka qenë zëdhënës i Qeverisë, deputet, e së fundmi punon si ministër për Kulturë në Qeverinë e Kosovës. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button