Shqipëri, u rrit në 76 numri i rasteve me koronavirus

Me konfirmimin e 6 rasteve të reja, numri i personave me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 76, mes tyre edhe dy personat që kanë ndërruar jetë, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftim thuhet se nga testimet e fundit janë konfirmuar 6 raste të reja, ndërsa janë rikuperuar dy pacientë, të cilët pas daljes nga spitali duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 46 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19. Pesë qytetarë nga Tirana, kontakte të rasteve pozitive dhe një qytetar nga Fieri, gjithashtu person kontakti. Deri në këto momente janë testuar 778 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 76 raste”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, nga totali i rasteve të konfirmuara, 59 për qind janë meshkuj dhe 41 për qind janë femra.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike të rasteve të konfirmuar pozitiv, 55 janë në Tiranë, 8 në Fier, 5 në Durrës dhe nga dy raste në Lushnje, Elbasan, Rrogozhinë dhe Kavajë.

Ndërkohë, institucionet shëndetësore vijojnë punën në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitiv.

Kujtojmë se institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Që nga shpërthimi në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, sëmundja, e njohur si COVID-19, ka shkaktuar mijëra të vdekur në mbarë globin. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button