RMV, infermierët në luftën kundër virusit korona, shumë sakrifica dhe përkushtim ndaj punës

Orar i ngjeshur e i intensifikuar i punës, gjendje e rënduar fizike e emocionale dhe përballje e drejtpërdrejt me rrezikun. Këto janë vetëm disa nga sakrificat që po bëjnë momentalisht mjekët së bashku me infermierët, për të tejkaluar situatën e rëndë në të cilën ndodhet shëndetësia në Maqedoninë e Veriut dhe pothuajse në gjithë globin, që ka si shkas pandeminë e përhapjes së virusit korona, njofton Portalb.mk.

Për të na folur se si po ia dalin me këtë situatë, ne kontaktuam infermieren Nesrin Çajani, e cila nuk e mohoi që po përballen me një situatë krejt të re, të paparashikuar e padyshim, të vështirë. Ajo tha se, situata në të cilën gjendet vendi flet qartë për rrezikun që i kanoset secilit, e sidomos personelit mjekësor në përgjithësi, mirëpo me masat e ndërmarra dhe me kujdes e mbrojtje të shtuar, Çajani beson se do t’ia dalin me sukses.

Nesrin Çajani, infermiere

“Kjo është detyrë e jona, si morale ashtu edhe profesionale, dhe gjithmonë do jem afër personave në nevojë, pavarësisht situatave me të cilat sfidohemi. Në raste sikur ky, sigurisht që edhe ne si personel mjekësor, por edhe të gjithë ata persona që punojnë në vendet e tyre të punës përkrah gjendjes aktuale, duke e ndjerë mungesën e fëmijëve të tyre dhe familjes, ku në këtë grup hyj edhe unë personalisht, patjetër që ndihemi të shqetësuar për sigurinë tonë dhe të tjerëve”, deklaroi Çajani.

Ajo thotë se pavarësisht të gjithave, ato do të vazhdojnë të jenë në shërbim të pacientëve që kanë nevoj dhe do të kontribuojnë që të mos përhapet panik i panevojshëm. Këtë sipas saj, e bën i gjithë personeli mjekësor, i cili është i unifikuar si asnjëherë më parë dhe po jep maksimumin nga vetja.

“Mirëpo, pavarësisht kësaj, ne jemi ata të cilët duhet t’u dalim në ndihmë njerëzve, në mënyrë që të mos krijohet panik edhe më e madhe. Pasi që ne si ekip tanimë kemi bartur pacientë të infektuar me korona virus, mirëpo gjatë asaj periudhe të gjithë së bashku kemi bashkëpunuar shumë dhe me mbështetjen e shefit tonë ia kemi dal me sukses. Gjithmonë së bashku mund të krijojmë fuqi dhe të përparojmë për mirë”, theksoi ajo.

Infermierja Çajani, porosit për përgjegjësi maksimale, vetëdije e kujdes sa më të madhe të mundshëm, që të gjithë të bëjnë pjesën e obligimit personal për parandalimin e mëtejmë të virusit korona.

“Porosia ime për pacientët dhe gjithë qytetarët është të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, të mos krijojnë panik e cila më vonë ndikon në gjendjen e tyre psiqike , të shtojnë kujdesin dhe t’i degjojnë rregullat pasi është situatë serioze dhe të gjithë ata që e ndjejnë veten se posedojnë simptome të cilat janë theksuar, ju kisha lutur që të drejtoheni te organet e shëndetësisë me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit te të tjerët”, shtoi infermierja, Nesrin Çajani.

Rasti i parë i virusit korona në Maqedoninë e Veriut është regjistruar më 26 shkurt. Në Maqedoninë e Veriut është shpallur gjendje e jashtëzakonshme nga data 18 mars 2020 dhe do të zgjatë 30 ditë. Kurse të infektuar në vend deri në këto momente ka 76 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button