Me muzikë, poezi dhe humor shqiptarët “grushtojnë” izolimin shtëpiak

U bënë disa ditë nga rekomandimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në lidhje me izolimin shtëpiak, përderisa një numër të madh të botës ky izolim e ka kapur nën stres dhe pikëllim, kjo nuk po ndodh me shqiptarët të cilët mesa duket edhe në raste të këtilla shfrytëzojnë kreativitetin për të luftuar çdo fenomen negativ që mund të paraqitet si pasojë e këtij virusi dhe izolimit shtëpiak, njofton Portalb.mk.

Me muzikë i shpallën “luftë”monotonisë dhe mungesës së mbrëmjeve gjatë pandemisë

Vullnet Neziri, Jehona Shaqiri, Shpat Deda e shumë këngëtarë tjerë ditët e izolimit shtëpiak i kalojnë duke i argëtuar njerëzit përmes rrjeteve sociale si fejsbuk dhe instagram. Ata të paktën disa here në javë i kemi parë të kyçen drejtpërdrejt dhe të japin një “koncert” falas për të gjithë ndjekësit e tyre.

Vullnet Neziri, këngëtar.
Vullnet Neziri, këngëtar.

Folëm me Vullnetin, kyçjen e drejtpërdrejtë dhe dhënien e koncertit në Instagram në kohëra të vështira si kjo e pandemisë korona, ai e cilëson si nevojë shpirtërore e cila i plotësohet në momentin kur sheh njerëz që argëtohen.

“Një prej arsyeve se pse unë merrem me muzikë është edhe dëshira ime për ti argëtuar njerëzit, tani po e vërej që gjatë përvojës time si këngëtar kjo dëshirë është kthyer në nevojë. Andaj, në kohëra krizash si kjo e virusit korona konsideroj se të gjithë nga ne duhet të japim më të mirën tonë në mënyrë që gjithë këtë tragjedi ta kalojmë sa më mirë, duke argëtuar njëri tjetrin në të gjitha format që mundemi” tha Vullnet Neziri, këngëtar.

Disa biologjistë kanë studiuar muzikën dhe kanë rënë në përfundim që kjo e fundit ka influencë tepër të fuqishme për trurin, trupin dhe emocionet tona, ndihmon në shëndetin tonë mental si dhe ka fuqinë të manipuloje emocionet, kështu duke ju ndihmuar të kaloni fazat e vështira sa më lehtë.

Për lexuesit, asnjëherë nuk është kohë e keqe të flasin për libra e këtë e vërtetuan edhe tani

Shumë shpesh është diskutuar për atë se si ndërprerja e procesit arsimor për shkak të virusit korona do të ndikoje te njerëzit, për të mos hequr fare dorë nga librat disa vajza nga Tetova kanë filluar kampanjën e cila ka për qëllim të rris lexueshmërine te njerëzit gjatë kohës që ata ndodhen në izolim shtëpiak.

Gentina Abdiji, anëtare e Klubit të Librit.
Gentina Abdiji, anëtare e Klubit të Librit.

Gentina, një ndër ideatoret e kësaj kampanje theksoi rëndësinë e leximit, kjo kampanjë sipas saj përveç faktit që është zbavitëse ka edhe përfitime tjera, si psikike ashtu edhe edukative, e kjo është një ndër arsyet që e shtynë atë drejtë këtij hapi.

“Marrë parasysh faktin që gjendemi në një gjendje mjaftë stresuese, në bashkëbisedim me miqtë e mi ram në përfundim se e vetmja formë për të fituar diçka nga ndenja në shtëpi 24 orë në ditë, do të ishte përmes leximit. Me ndihmën e Klubit të Librit në Tetovë, tani filluam një kampanjë ku njerëzit mund të shprehin sugjerimet dhe mendimet e tyre për libra e filma të ndryshëm që ju kanë lënë përshtypje e më pas të njëjat bashkë ti komentojmë, e në këtë formë, të gjithë përfitojmë diçka” theksoi Gentina Abdiji, anëtare e “Klubit të Librit” në Tetovë.

Për lexuesit tanë, ajo sugjeroi tre libra edhe atë “Krim dhe Ndëshkim” nga Dostojevski, “Tabloja e Mendjes” nga Nexhua Zebian dhe “Gjuetari i Balonave” nga Khaled Hosseini.

Ndryshe, disa studime botërore shpjegojnë që leximi e ka fuqinë të ul stresin, të parandalojë sëmundje të ndryshme mentale si alzheimer, leximi rrit empatinë dhe inteligjencën emocionale e kështu me radhë.

Grupi “Karantinë” në fejsbuk ka vetëm një rregull, të mos shpërndahen lajme të rreme

Një ndër problemet që është shfaqur dorë për dore me virusin korona janë edhe lajmet e rreme për këtë të fundit, të cilat nxisin panik, frikë dhe shqetësim deri te qytetarët kështu duke i bërë ata të ndjehen të pasigurt për shëndetin e tyre.

Grupi "Karantinë" në fejsbuk.
Grupi “Karantinë” në fejsbuk.

Për të luftuar këtë, Arianit Xhaferi krijoi një grup në fejsbuk i cili tani numëron mbi 1,000 anëtarë ka për qëllim të ju ndihmoje njerëzve gjatë vetizolimit, karantinës dhe gjendjes së jashtëzakonshme përmes shpërndarjes së informacioneve të sakta dhe të konfirmuara, nganjëherë edhe me spec për të krijuar atmosferë sa më të këndshme për anëtarët e grupit.

“E krijova këtë grup dhe për shumë pak kohë arriti mbi 1000 anëtarë. Ideja e grupit është për t’i ndihmuar njerëzve gjatë vetëizolimit, karantimit, gjendjes së jashtëzakonshme që mbizotëron në vendet e rajonit. Anëtarët japin informacione të ndryshme, përfshi të dhëna mjekësore mbi CoVid19, mënyrat si të mbrohemi, çfarë mund të ndihmojë ose parandalojë përkrahjen, por poashtu në këtë grup mund të ofroni tituj librash, filma, seriale (etj) për argëtimin e anëtarëve dhe familjarëve të tyre” tha Arianit Xhaferi.

Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) tanimë ka filluar të punoje në drejtim të parandalimit të lajmeve të rreme sa i përket virusit korona, e për këtë kjo organizatë do të bashkëpunoje me të gjitha platformat e medieve sociale.

Ndryshe, dy ditë më herët Qeveria e Maqedonisë së Veriut e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, e cila fillimisht është e paraparë të zgjasë 1 muaj e që gjatë kësaj periudhe kohore, rekomandimet si nga Qeveria ashtu edhe nga mjekët janë që minimizohet dalja e panevojshme jashtë shtëpisë për shkak të mundësisë të infektimit nga virusi korona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button