THIRRNI MENDJES!

Bota është në kaos. Shumë shtete kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Janë mbyllur fabrikat, bizneset, shkollat… Është pezulluar jeta normale, si kurrë ndonjëherë. Njerëzit me dy pare mend në kokë janë të frikësuar, sepse nuk ekziston asnjë ilaç që e shëron këtë murtajë. Madje, nuk ka asnjë garanci se do të zbulohet së shpejti ndonjë vaksinë mbrojtëse prej saj. Shi për këtë, ekspertët e mjekësisë të vetmen mundësi për të shmangur infektimin e shohin në qëndrimin e njerëzve nëpër shtëpitë e tyre. Sipas tyre izolimi i përkohshëm prej të tjerëve është njëkohësisht e vetmja rrugë e kthimit në jetën normale, sepse vetëm kështu do të ndërpritet zinxhiri i bartësve/ përhapësve të Covit-19.

Mjerisht, apeli i mjekëve që aktualisht rrezikojnë jetën e tyre për t’shpëtuar jetët e të tjerëve nuk u përfill me kohë edhe nga shtetet e mëdha si puna e Italisë, Anglisë, SHBA-së…, që sot përballen me pasojat e tmerrshme që i shohim të gjithë. Më keq po e pëson Italia që është më afër nesh dhe ku jetojnë e punojnë mijëra shqiptarë nga të gjitha viset tona. Natyrisht, edhe nga Dibra, Tetova, Gostivari… Pësimet e saj (Italisë) do të duhej t’na shërbenin për t’i thirrur mendjes së shëndoshë e për ta kujtuar pa humbur kohë atë fjalën e urtë, sipas së cilës: çka ka në kojshi, prite  në shtëpi... Por, gjersa shqiptarët e shtetit amë e kuptuan me kohë rrezikun dhe po i respektojnë në masë të madhe rregullat e jetës pas shpalljes se gjendjes së jashtëzakonshme, këndej ndodh e kundërta. Në Tetovën time, fjala vjen, janë më të paktë ata që e kuptojnë situatën kritike në të cilën ndodhemi. Pjesa tjetër nuk janë të vetëdijshëm për cunamin kanosës, të cilin nuk guxojmë ta marrim me shaka, sepse jemi shumë të varfër dhe tmerrësisht të paorganizuar për t’i bërë ballë.

Prandaj, përveç medieve elektronike e të shkruara, gjithsecili prej nesh duhet të bëjë diçka për t’ua sqaruar të painformuarve rrezikun real të koronavirusit, të konsideruar nga dijetarët si fatkeqësia më e madhe me të cilën po ballafaqohet bota pas Luftës së Dytë Botërore.

Pra, le të përpiqemi të ndërgjegjësojmë të afërmit dhe miqtë tanë, duke kërkuar prej tyre të respektojnë udhëzimet e mjekëve/ infektologëve vendor dhe të huaj, të qëndrojnë në shtëpi për të shpëtuar veten dhe familjarët dhe për të mos u bërë shpërndarës të kësaj flame të paparë në historinë e re të njerëzimit.

Le të përpiqemi të racionalizojmë në mënyrë sa më të arsyeshme sjelljet dhe veprimet tona, para se të ndodhë më e keqja, para se të bëhemi me mijëra në spitalet, që, përveç ilaçit kundër Covit-19, të cilin nuk e kanë edhe të tjerët, nuk kanë as infrastrukturë as kuadro të mjaftueshme për flukse të mëdha fatkëqinjsh.

Le ta marrim me shqetësim këtë situatë, por pa panikë, sepse është momenti për veprim, jo për lotim. Jemi njerëz dhe shqetësimi na vjen vetvetishëm kur rrezikohet shëndeti dhe jeta jonë, shëndeti dhe jeta e të dashurve tanë, e bashkëkombasve, e qenieve njerëzore kudo që jetojnë.

Për vete e them pa hezitim se jam i shqetësuar si shumica dërmuese e shqiptarëve dhe njerëzve të botës, që betejën me virusin vrasës e bëjnë me armët që ai i ka më zët – me mbylljen e përkohshme në shtëpi dhe me ngritjen e nivelit të pastërtisë.

Jam i shqetësuar, sepse nuk e kam mençurinë e eruditëve analfabetë, të cilët, pa u lodhur për pasojat dhe me zero dije nga fusha e mjekësisë, aktrojnë të devotshmit e Atdheut e të Zotit, duke ua mbushur mendjen të painformuarve se virusi Covit-19, mund t’i gjunjëzojë të tjerët, por nuk i prek dot shqiptarët dhe muslimanët. Këta injorantë harrojnë se Perëndia ua fali njerëzve mendjen dhe i udhëzoi të ndjekin udhën e dijes kudo që gjendet ajo.

Jam i shqetësuar, për shkak se nuk i takoj kabiles së qenieve, të cilët, në situata kritike kur duhet të jenë më të esëllt, tebdilosen në trajma dhe ia marrin këngës trimërishte: S’ka shka mban bumja mue!?

Jam i shqetësuar, sepse nuk arrij ta kuptoj rehatinë qeshite  të tarzanëve të xhunglës sonë të madhe, të cilën dikush duhet ta ndalojë urgjentisht për të ruajtur shëndetin dhe jetët e grupeve më të rrezikuara nga lenxhira  që ndëshkon pashmangshëm shakatë e të marrëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button