Të sëmurët mental shtohen, dilema: te mjeku a hoxha?

Mjekët alarmojnë se në Maqedoni dita-ditës rritet numri i të sëmurëve mental. Ajo që e bën situatën më tragjike është se proporcionalisht kujdesi ndaj tyre zvogëlohet. Sipas doktorëve, shpesh ndodh që familjet të cilat kanë të sëmurë mental, i lënë pas dore ata ose kërkojnë metoda tjera për shërimin e tyre. Në institucionet për persona të sëmurë mental kushtet janë katastrofale, sidomos në atë Bardovcë, kur Portalb nuk u lejua të depërtojë. Duke pasur parasysh këtë fakt dhe kontekstin në Maqedoni ku popullata është tejet religjioze , shpesh shohim që konsultimet bëhet te imami dhe prifti.

Për Portalb foli Dr. Pavlina Vaskova neuropsikiatër në spitalin psikiatrik “SHKUP”, e cila tha se në vendin tonë mungon kujdesi edhe nga familja mirëpo edhe nga shoqëria.

“Derisa janë të rinj për ata kujdesen prindërit, mirëpo pas vdekjes së prindërve, vëllezërit dhe motrat ose anëtarët tjerë nuk kujdesen aspak për ta, bile ua marrin hisen të cilën ua kanë trashëguar prindërit, dhe këto raste i kemi këtu në spitalin tonë”, tha Vaskova.

“ Sa i përket mjekimit të rasteve të tilla, disa i dërgojnë në spitale dhe në klinika speciale ku ata pranojnë tretmanin mjekësor, mirëpo ka numër të madh të cilët ende nuk kanë pranuar mjekim profesional. Ata ende i dërgojnë tek priftërinjtë dhe te hoxhallarët e kështu me radhë”, tha ajo.

Por sa mund të ndihmojë një hoxhë në rastet e tilla?

Vaskova thotë se pa tretman mjekësor çdo shërim tjetër është i rrezikshëm.

“Ka mundësi të mëdha për vdekjen e pacientit nëse nuk merr tretman mjekësor ” përfundon jo.

Por përkundër kësaj për Portalb, ka folur me M.A , një burrë 35 vjeçar nga Shkupi i cili tha se kishte kaluar tretmanë mjekësor të ndryshme por në fund, të tejkalojë problemin e tij i ka ndihmuar hoxha.

 “Para do kohe isha ashtu i shqetësuar dhe nuk dija arsyen pse. Thjeshtë më vinte të qaja dhe mërzitesha pa shkak. Një kohë nuk bëhesha merak, por me kalimin e kohës fillova të kem ankthe gjatë natës, ku pastaj frikësohesha të fle. Gati një muaj mbeta pa gjumë, u dobësova fizikisht, ndërsa shpirtërisht ndihesha tepër i zbrazur. Më mundonte gjithçka. Kur panë familjarët gjendjen time, më këshilluan që të vizitoja një mjek që ata e njihnin. Por, siç e dini, te ne kjo gjë është ende tabu temë, sepse nëse shkon në psikiatër gjoja quhesh i çmendur. Por mundimet ishin të mëdha, me kalimin e kohës edhe shqetësimi rritej akoma më shumë. Kështu që më në fund vizitova mjekun, por edhe ai nuk më ndihmoi aq shumë”, tha ai.

Ai përmendi se vizita tek imami i ndihmoi të kalojë këtë problem të cilin e kishte pasur.

Portalb konsultoi dhe imamin Abdyl Fuga i cili tha se në shumë raste religjioni keqkuptohet por edhe nënvlerësohet.

“Islami si fe i ka përfshirë të gjitha problemet në këtë rast edhe sëmundjet psikike. Dhe në bazë të mësimeve islame njeriu ka mundësi të jetë i sëmurë psikik, raste kur njeriut mund t’i bëj dobi mjeku, mirëpo ka edhe raste të cilat mjeku nuk mund të bëj asgjë, dhe shpesh herë ndodh që mjeku t’u thotë pacientëve që të kërkojnë mjekim alternativ. Janë sëmundje kur bëhet fjalë për mjekime të asaj që popullata i thotë mësysh apo edhe probleme tjera më të mëdha se kjo. Rastet e tilla janë të shumta dhe kjo mund të jetë njëri prej shumë shkaqeve tjera se pse populli nuk i mbështetet spitaleve psikiatrike. Këto të gjitha i vërteton edhe Kurani, mirëpo ka shumë keqkuptime ndaj fesë”, tha Fuga.

Ai po ashtu tregoi se ndodh që edhe imami t’i udhëzon pacientët tek institucionet e mjekësisë, pasi konstaton se ai me të vërtetë ka nevojë për mjekim nga ana e mjekëve.

Nga spitali psikiatrik na dhanë informacion se numri i vizituesve është ritë viteve të fundit mirëpo shprehin shqetësime se shoqëria është ajo që nuk u ndihmon rasteve të tilla. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button