E PUR SI MUOVE!

Në fund të shekullit XIII në Itali me shkrimet e Dante Aligieri-t, pikturat e Giotto di Bondone-s, filloi një ndër epokat më të rëndësishme të njerëzimit, ajo e Rilindjes. Filluan zbulimet e mëdha, u zbulua bota e re, Amerika. Bota më nuk ishte e njejtë; ajo përgjithmonë u ndryshua, u zgjërua. Duhej të zgjerohej edhe dija, që atëherë ishte e kufizuar nga kornizat dogmatike të kishës. Ndryshoi qasja ndaj dijës, ndaj botës. Filloi përgatitja e njerëzve për tu bërë mjekë, juristë, oratorë, shkrimtarë, mbi bazën e teksteve të mjekësisë, ligjit, filozofisë. Në fakt filloi të sekularizohet arsimi dhe jeta publike.

Mirëpo, ndryshimet që po ndodhnin nuk u përjetuan mirë nga të gjithë, sidomos nga Kisha. Si pasojë, filloi inkuizicioni ndaj intelektualëve-iluministë të kohës, duke i linçuar, përndjekur e burgosur.

Kështu i ndodhi edhe fizikantit dhe filozofit italian Galile Galieu-t, i cili kishte ardhur në përfundim shkencor se: ”Toka lëvizë rreth diellit!”.  Kisha e cila e mendonte të kundërtën, këtë e kishte pranuar rëndë, si heretizëm, prandaj e kishte arrestuar dhe detyruar të tërhiqet nga ky pohim, në fakt zbulim. Ai, pra Galileu, siç i ka hije një shkencëtari, nuk kishte pranuar, përkundrazi, kishte thënë: “Mund të më bëni gjithçka, por ajo (toka) megjithatë lëvizë (rreth diellit), pra”E pur si muove!”.

Mendjet gjeniale janë pakicë ekstreme. Njerëzit me inteligjencë mbi mesatare, janë pakicë relative. Të tjerët janë shumicë. Gjithmonë tendenca e shumicës, është për t’i shtypur me dhunë, kurthe e ç`është më absurdja, edhe me votë, mendjet e atyre të parëve, të cilët me dijen e tyre, vazhdimisht përditësojnë zhvillimin e botës dhe njerëzimit.

Më pëlqeu deklarata e djeshme, e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, ku gjatë konferencës së tij të jashtëzakonshme, mes tjerash tha: “Politika ushtroi presion ndaj shkencës, por në fund ngadhënjeu shkenca”. Kjo, sepse Presidenti i Republikës së Kosovës, për nevoja politike, duke bërë presion kundërligjor ndaj ekspertëve mjekësor, kërkonte dëshpërimisht ”arsye” për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ani pse sipas ekspertëve, gjendja e sigurisë dhe e shëndetit publik, nuk ishte për marrjen e asaj mase ekstreme, të paktën jo dje.

Presidenti, dhe opozita e Kosovës, por edhe krerët e partisë së koalicionit qeverisës, nuk po munden të pranojnë se ka shqiptarë të ditur, që nuk korruptohen, nuk abuzojnë e as nuk shantazhohen. I tillë është Albini (pa harruar këtu se ka bërë dhe mund të bej gabime), prandaj duke e konsideruar si ”heretik”, po i bëjnë kurthe e sabotime nga brenda e jashtë, pra po i bëjnë inkuizicion postmodern. Por, sikurse shkenca e Galileut, edhe dija dhe guximi i Albinit do të ngadhënjejnë. Jo sepse në këtë unë besoj, e unë thellësisht besoj, por sepse këtë e ka garantuar historia me shkencëtarët, me Galile Galileun dhe shokët e tij të idealit.

Në Maqedoninë e Veriut, para ca kohësh kryetarja e Komisionit për parandalimin e korrupsionit, si dhe zëvendësi i saj, bashkë dhe secili veç e veç, kanë thënë, po parafrazoj: në institucionet e vendit nuk po pranohen kuadro cilësore dhe të ditura, sepse ato me siguri nuk pranojnë të abuzojnë me detyrën e as të nënshtrohen, ndërsa po pranohen avancohen dhe emërohen, kuadro jocilësore, sepse janë të dëgjueshëm e poltronë, të gatshëm gjithmonë për shkeljen e ligjeve dhe normave morale dhe për abuzim me detyrën. Ky trend do vazhdojë deri në erozionin total të institucioneve i cili është afruar shumë afër, ngase shumë funksionarë të lartë, nuk po dinë të shkruajnë as edhe një letërkëmbim. Por, shoqëria, duke mos e duruar këtë, instinktivisht do t’i nxjerrë në pah kuadrot cilësore e të mirëshkolluara, të cilat do ta shpijnë vendin përpara, do të punojnë me ligj e nder, do të zbulojnë e krijojnë. S’mund të jetë ndryshe. Këtë e ka garantuar historia. Sepse, bota siç ka thënë Galileu, megjithatë lëvizë, e patjetër do të lëvizë për të mirë dhe rreth së mirës (diellit).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button