Të sakrifikosh shëndetin me qëllim të informimit në kohëra krizash, flet Arbnora

Përveç doktorëve, një ndër detyrat më të rëndësishme në kohëra krize e kanë gazetarët dhe fotoreporterët. Me qëllimin e vetëm që njerëzit të informohen në kohë për çdo gjë lidhur me virusin korona, ata çdo ditë janë në teren, kështu duke sakrifikuar edhe shëndetin e tyre, për këto dhe më shume folëm me fotoreporteren Arbnora Memeti, njofton Portalb.mk.

Para shfaqjes së virusit korona Arbnora zgjohej me alarmin e orës 7, kurse tani rutina e saj ditore ka ndryshuar tërësisht. Ajo na foli për për mënyrën se si e përjeton këtë ndryshim si në anën profesionale ashtu edhe personale.

“Realisht ka ndryshuar gjithçka, ky ndryshim dukshëm po vërehet në të gjitha profesionet në vendin tonë edhe më gjerë. Ndryshimi ndjehet, mbase tani nuk zgjohemi në ora 7 për të shkuar në punë, redaksia ku punoj unë ka ndryshuar tërësisht regjimin e punës, punojmë në grupe, shumica nga shtëpia kurse unë vazhdimisht jam në teren dhe në dispozicion në çdo kohë për nevojat e gazetës ku punoj për ti mbuluar të gjitha zhvillimet që ndodhin në vendin tonë” tha Arbnora Memeti, fotoreportere.

Ajo dhe shumë kolegë të saj e sakrifikojnë shëndetin e tyre çdo ditë, me qëllim të informimit sa më objektiv në lidhje me këtë virus. Sipas Arbnorës, për atë se sa respektohet kjo sakrificë e gazetarëve është një pikëpyetje e madhe.

“Në aspekt profesional këto raste unë i përjetoj më ndryshe, e vërtetë është gjendje e jashtëzakonshme por ndryshe nga profesionet e tjera ne nuk mund të punojmë nga shtëpia, sikur mjekët ashtu edhe ne jemi në front, kështu që po sakrifikojmë që të jenë të gjithë të informuar saktë, kështu që nuk ka vend për panik neve e kemi patjetër të punojmë. Se sa e vlerësojnë punën tonë, të mos flas, se dëgjova dikë të thotë sot të duartrokasim për gazetarët që po i rezistojnë gjithë kësaj situate, edhe atë me shumë pak të mbrojtur, gjithë kohën janë të ekspozuar dhe shumë lehtë mund të infektohen në orar të punës” theksoi Arbnora Memeti.

Arbnora Memeti, fotoreportere, foto e marrë nga rrjeti social fejsbuk.
Arbnora Memeti, fotoreportere, foto e marrë nga rrjeti social fejsbuk.

Arbnora foli me zë kritik për atë se sa mediet tona janë të përgatitura në aspektin teknik për virusin korona, sipas saj në mënyrën e njëjtë si mediumet e RMV-së asnjëherë nuk kanë qenë në gjendje të ju sigurojnë gazetarëve një helmet mbrojtës për të ulur rrezikun kur raportojnë nga protestat që kryesisht janë të dhunshme, as tani nuk munden të sigurojnë një maskë, xhell për dezinfektim apo doreza.

Megjithatë, ajo theksoi se personalisht ndjehet e sigurt për shkak se i respekton të gjitha rekomandimet, vazhdimisht tha se i lan duart, lëviz me maskë dhe doreza, i shmanget prekjes së fytyrës dhe pjesëve të tjera përmes së cilave mund të transferohet virusi.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut është shpallur gjendje e jashtëzakonshme nga data 18 mars 2020 dhe do të zgjatë 30 ditë. Kurse të infektuar në vend deri në këto momente ka 67 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button