Ra kjo pandemi e u pamë

Situata dita ditës bëhet gjithnjë e më serioze. Çdo ditë numri i të prekurve me virusin Covid19 rritet. Zgjedhjet u anuluan, ashtu si edhe të gjitha aktivitetet tjera. Mësimi është pezulluar. U shpall edhe gjendja e jashtëzakonshme në territorin e gjithë shtetit. Jemi në pushim të detyruar për të mbrojtur shëndetin tonë. Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të pamundësuar përhapjen e virusit dhe për të mbrojtur në mënyrë të veçantë kategoritë e rrezikuara.

Ra kjo pandemi që të kujtohemi për gjërat e bukura në jetë, të cilat dimë shpesh t’i harrojmë. Ra kjo pandemi që të kuptojmë sa shpesh në të kaluarën kemi thënë ndoshta pa nevojë “Nuk kam kohë”. Ra kjo pandemi që të kujtohemi për prioritetet, që të kalojmë më shumë kohë në familje, në shtëpi, me të afërmit tanë, me fëmijët tanë. E përsëri nuk jemi të kënaqur edhe me këtë mundësi që na jepet për të kaluar pak më tepër kohë kualitative me ata për të cilët themi se janë më të vlefshmit për ne. Sepse na duhet medoemos të dalim, sepse na mungon kafeja e mëngjesit, sepse na duhet muhabeti i çajtores pa të cilin nuk jetojmë dot, sepse na duhet ahengu i mbrëmjes, sepse vetë-izolimi na ngjason me burgun shtëpiak.

Në çdo të keqe ka të paktën një të mirë. E mira e parë e kësaj situate të pazakontë që e ka kapluar botën e tërë është pikërisht mundësia për tu parë më shumë, për të kaluar kohë bashkë, e për të bërë një bisedë më të thellë me familjarët tanë. Mos e humbisni këtë mundësi. Gjithnjë ankohemi se jeta është tepër dinamike dhe se nuk kemi aspak kohë për të kaluar me të afërmit, ja ku e kemi mundësinë për të ndenjur bashkë, për të qarë halle, për të ndarë gëzimin, hidhërimin, dashurinë.

E mira tjetër që lidhet me këtë situatë të pazakontë është aftësimi jonë i përbashkët për të shfrytëzuar zhvillimin teknologjik për qëllime fisnike. Të gjitha pajisjet teknologjike që i kemi janë “të mençura” (smart). Kemi smart TV, kemi smartphone, kemi smart watch. Të gjitha pajisjet i kemi smart. Ajo që duhet tani është edhe ne të bëhemi të mençur duke i përdorur pikërisht këto pajisje për blerjen e të cilave dimë të harxhojmë aq shumë para, vetëm për të thënë se i kemi. E tani, me këta telefonat e mençur studentët mund të ndjekin leksione nga shtëpitë e tyre, leksione të cilët profesorët i japin po nga shtëpitë e tyre. Nxënësit dhe studentët mund të prezantojnë, profesorët mund të vlerësojnë, diskutim në grup mund të ketë… gjithçka është e mundur me pajisjet smart, mjafton të jemi smart edhe ne.

Pandemitë kalojnë por koha e humbur nuk kthehet pas. Kur kemi qenë studentë kemi pasur shpesh dëshirë të mësojmë nga shtëpia, të qetë, pa detyrim fizikisht të jemi prezent në klasë. Ja ku e kemi mundësinë tani të jemi virtualisht prezentë në klasë, të mësojmë nga komoditeti i shtëpisë, duke pirë kafenë nga kuzhina jonë. Ky po që është komoditet i cili nuk duhet anashkaluar. E ku mund të gjejë njeriu këtë luks të mësojë gjithçka nga shtëpia, e të ketë kaq shumë kohë për të lexuar, mësuar, debatuar?

E mira tjetër në këtë të keqe është mundësia për të lexuar pa detyrime. Të kesh kohë të lexosh librat që kanë mbetur rafteve të bibliotekës me vite duke pritur që ne të kemi kohë ti lexojmë është vërtet shumë e çmuar. Mundësia për t’u kushtuar kohë gjërave që na japin kënaqësi është e papërsëritshme. Të kesh kohë ti biesh kitarës, violinës, pianos, ose thjesht të merresh me kopshtin ose pastërtinë, ose çfarëdo gjëje tjetër që na bën të lumtur është vërtet një bekim të cilin në përditshmërinë e jetës dinamike e lëmë diku poshtë, poshtë në listën tone të prioriteteve.

Le të mbetemi pozitivë derisa jemi të shëndoshë. Le të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbetur të shëndoshë dhe për t’i mbrojtur më të dashurit tanë. Nuk është çdo kënaqësi e lidhur me të dalurit jashtë shtëpisë. Është pikërisht ngrohtësia e shtëpisë ajo që ka më së shumti kënaqësi për të ofruar. Prandaj mos e merrni për dënim izolimin, merreni për bekim. Sepse është bekim të kalosh kohë me familjen me qëllim të qartë për ti mbrojtur pikërisht ata nga rreziku i kësaj sëmundje që mund të jetë fatale për ata të cilët i duam më së shumti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button