Gjendja e jashtëzakonshme vs COVID-19!

Shefi i shteti, Stevo Pendarovski shpalli gjendje të jashtëzakonshme në mbarë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut! Kështu, Republikën e Maqedonisë së Veriut do ta pret një situatë të re me plot sfida, e cila do të përballet me Koronavirusin apo i njohur tashmë me emrin zyrtar COVID-19.

Pas shpalljes së COVID-19 për pandemi globale nga ana Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendin tonë u shqyrtuan disa mundësi, se a duhet të shkojë vendi në gjendje të jashtëzakonshme apo duhet shpallur gjendje krize të cilën VMRO-DPMNE e kërkonte në vazhdimësi. Masat që parashikojnë këto gjendje janë përafërsisht të njëjta, me atë që “gjendja e jashtëzakonshme” rregullohet me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pra me nenin 125 të saj edhe atë me paragrafin 1, 2, 3 dhe 4 ku thotë: “Gjendje e jashtëzakonshme paraqitet kur ndodhin fatkeqësi të mëdha natyrore ose epidemi. Ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ose të një pjese të saj e cakton Kuvendi ose në bazë të propozimit të Kryetarit të Republikës, Qeverisë ose së paku 30 deputetëve. Vendimi me të cilin caktohet ekzistimi i gjendjes së jashtëzakonshme merret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe vlen më së shumti 30 ditë. Nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, vendimin për ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme e merr Kryetari i Republikës dhe ia paraqet Kuvendit për miratim posa ai të ketë mundësi të mblidhet.” Gjithashtu, në pajtim me nenin 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qeveria në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjin miraton dekrete me fuqi ligjore.

Ndërkaq, për dallim nga gjendja e jashtëzakonshme, Ligji për menaxhimin e krizave, në nenin 3, paragrafi 5, “gjendjen e krizës” e definon si gjendje e shkaktuar nga rreziqet të cilët mund t’i rrezikojnë të mirat, shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe të kafshëve dhe sigurinë e Republikës, për parandalimin e së cilës dhe/ose ballafaqimi i së cilës është i patjetërsueshëm në masë më të madhe të resurseve.” Referuar nenit 31, paragrafi 1, 2, 3, 4 dhe 5 i Ligjit për menaxhimin e krizave, vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës e sjell Qeveria, e përcakton zonën (rajonin) e kapluar nga gjendja e krizës dhe në përputhje me atë i aktivizon mekanizmat për zgjidhjen e gjendjes së krizës. Për marrjen e vendimit, Qeveria menjëherë duhet ta njofton Kuvendin dhe Presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qeveria për aktivitetet lidhur me vendimin e nenit 1 të këtij neni në afat prej 48 orëve gojarisht (oralisht), si dhe një herë në javë me shkrim e njofton Kuvendin dhe Presidentin. Qeveria më së voni 30 ditë pas përfundimit të aktiviteteve të theksuara me vendim nga paragrafi 1 i këtij ligji, e përgatit dhe e dorëzon raportin me shkrim deri te Parlamenti dhe Presidenti. Vendimin për ekzistimin e gjendjes së krizës nga paragrafi 1 i këtij ligji nuk mund të zgjat më shumë se 30 ditë. Nëse gjendja e krizës vazhdon të zgjat më shumë se 30 ditë, Qeveria duhet të merr aprovim nga Kuvendi për vazhdimin e afatit ose të propozojë shpallje të gjendjes së luftës ose të jashtëzakonshme.

Pra, në këtë situatë, përballja dhe luftimi me Koronavirusin do të mund të bëhej vetëm përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme e cila tashmë ishte e vonuar por e patjetërsueshme dhe jo përmes shpalljes së vendit në gjendje krize, dhe kjo pikërisht për shkak të situatave të sqaruara më lartë, me atë që kur dihet se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, u shpërnda dhe vendi jonë shkoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qëllimi i aplikimit të këtyre masave e sidomos dhënies së përparësisë së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme konsiston më tepër në aspektin praktik-pragmatik, në funksion të veprimit sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe në mënyrë efikase, pa bërë ekzibicione të ndryshme dhe të panevojshme në një situatë të rënduar!

Së këndejmi, shefi i shtetit Stevo Pendarovski na informoi se Qeveria ka dërguar kërkesë deri te Kuvendi, por Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ka dërguar te shefi i shtetit me arsyetimin se Kuvendi tashmë është i shpërbërë dhe nuk mund të thirret sërish. Pra, kjo hipotezë apo veprim nga ana e kryeparlamentarit është për t’u përshendetur, dhe në aspektin juridik është e qëndrueshme dhe arsyeshme dhe mbi të gjitha në përputhje me Kushtetutën.

Pra, nga sot e tutje, Kuvendi kompetencat e veta i’a ka dhënë Qeverisë, me atë që Qeveria në përputhje me Kushtetutën është e autorizuar të miraton dekrete me fuqi ligjore, e cila në mënyrë më efikase dhe më urgjente do të mundet të ballafaqohet me situatën e Koronavirusit!

Për dallim nga vendet tjera të rajonit, që në sistemet e tyre juridike kanë paraparë “Ligje mbi shpalljen e gjendjeve të jashtëzakonshme”, gjendje të cilën e rregullojnë në pikëpamje përmbajtësore në mënyrë më të detajuar, për dallim nga vendi jonë siç e pamë kjo gjendje është e rregulluar ekskluzivisht me kushtetutën e saj si akt më i lartë juridiko-politik i shtetit dhe kjo gjë padyshim që paraqet zbrazëtirë juridike në sistemin tonë juridik e cila në të ardhmen seriozisht duhet të mendohet dhe të punohet në përpilimin dhe rregullimin e elementeve që duhet t’i përmbajë ky ligj.

Autori është student pranë Fakultetit juridik – UEJL, në ciklin e dytë të studimeve, në drejtimin “E drejta kushtetuese dhe administrative”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button