Epoka e CoVid-2019, vështrim sociologjik mbi krizën shoqërore

Epidemitë e mëdha dhe fatale duket që po godasin fuqishëm shoqërinë globale. Shpërthimi i përnjëhershëm i virusit të sapo-zbuluar me emrin Corona dhe përhapja e tij me shpejtësi marramendëse në të gjitha anët e botës e goditi dukshëm rendin shoqëror. Njerëzimi po lufton me një armik të padukshëm aq sa edhe shkencëtarët më të mëdhenj nuk po i bëjnë dot ballë.

Kjo gjendje e “anomisë shoqërore” siç do ta quan Emil Durkheim-i i referohet kaosit shoqëror që rezulton me rënien e rendit shoqëror dhe një çorganizim marramendës aq sa për pak çaste shoqëria bëhet e çuditshme. Frika, paniku, stigma, paragjykimet duket se e kanë mbërthyer reagimin e njerëzve të cilët ndonëse të stërngarkuar me këto emocione janë kapur dukshëm pas rrjeteve sociale duke dëgjuar për ngjarjet e rradhës dhe duke pasur në fokus asgjë tjetër pos Covid-2019. Ky alarm aktual dhe kaq i fuqishëm nga autoritetet politike për një rrezik edhe më të madh nga sëmundja po e shton akoma më shumë frikën te njerëzimi aq sa edhe kërcënimi ndaj rendit shoqëror rritet me po të njëjtin potencial.

Turma e njerëzve që vrapon pas ushqimit, zbrazja e mallrave, ndalesa e njerëzve për të lëvizur lirë nëpër vende, karantinimi në katër mure me pretendim ndalesën e kontaktimit me njerëz të tjerë ekspozon pasoja mjaft të rënda ekonomike, psikike dhe sociale. Virusi Corona nga një mikrob u shndërua në dukuri reale e cila e pushtoi në masë botën e këtij shekulli duke i sjellë alarmin luftarak për mbijetesë dhe përballim. E gjithë kjo përpjekje e përnjëhershme e njerëzve për mbrojtje dhe siguri aludon në sjelljen joracionale të turmës që buron nga ankthi i frikës se rreziku i këtij virusi po sjell cunamin e përmbysjes ekonomike.

Pasojat janë ekspozuar gjithandej si burim i pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë së popullatës deri në momentin që institucionet shkencore hulumtuese edhe përpos hetimeve për të gjetur shpëtimtarin nuk po rezultojnë dot. Kontrolle në të katër anët, apel për të qëndruar në izolim larg njëri-tjetrit, anulim dhe stagnim i të gjitha aktiviteteve sociale janë fushatat mediatike të autoriteteve qeveritare dhe atyre mjekësore të cilët me përkushtimin më të madh përpiqen që ta luftojnë përhapjen e këtij virusi vrasës. Ajo që më së paku mund t`i rezistojë këtij sulmuesi paramecian është mosha e tretë (pleqtë) tek të cilët frika për infektim të mundshëm ka depërtuar në palcë. Orvatja për mbijetesë do ta quanim sjelljen dhe përpjekjen e kësaj kategorie njerëzish e cila përpos gërshetimit të sëmundjeve të moshës nga stresi për infektim të mundshëm bëhet akoma më pak imune për ta përballuar.

Dramën e kësaj krize shoqërore po e përjeton edhe arsimi. Të gjitha shkollat u mbyllën me gjasë ndalimin e përhapjes së infeksionit dhe sa do që përfaqësuesit politik të arsimit apelojnë vijim të mësimeve online në aktualitetet e krizës globale mbi shëndetin vëmendja për një arsimim të tillë është minimale. Nuk mund të kërkojmë sistemin e vlerave në gjendje të jashtëzakonshme lufte.

Në anën tjetër në cakun e vëmendjes janë mediat të cilat sot shënojnë mijëra në mos miliona dritare online ashtu që në çdo sekondë përçojnë lajme, video, pres konferenca rreth pandemisë globale duke shtyrë njerëzimin të qëndrojë përballë tyre për ndjekje të situatës sidomos kur në efekte të izolimit social interesi për të qëndruar online në rrjete sociale është marramendës për të thyer monotoninë por njëkohësisht edhe për tu informuar rreth ngjarjeve aktuale.
Megjithatë, në çdo moment kur statistikat botërore flasin për viktimat dhe rastet e reja të infektimit në të gjitha shtetet e prekura nga ky virus vdekjeprurës kalkulojnë shifra alarmante se rreziku i shëndetit psikik rëndohet edhe më shumë aq sa edhe jeta shoqërore bëhet më e rënduar.

Një tjetër qasje sociologjike që korrespondon me këtë dukuri janë edhe teoritë konspirative dhe hipotezat e mundshme që priren të japin shpjegime rreth përhapjes së virusit Corona si një epidemi pan-botërore. Qëllimi i këtyre parashikimeve komplote është të shfaqin ndikimet politike të shteteve të cilat për hir të tensioneve ekonomike dhe konkurrencën tregtare prodhuan armë biologjike kundër shëndetit publik nën akuzën e njëra-tjetrës për të treguar fuqinë sunduese ndaj botës. Këto premisa lënë të kuptosh pretendimet e regjimeve burokratike të fuqive të mëdha të cilat sfidojnë prova eksperimentale si dëshmi e sundimit të plotfuqishëm.

Ajo që është më e rëndësishme të thuhet në këtë rast është se përhapja e Covid -2019 e ndryshoi plotësisht ndjenjën e shoqërive në mbarë botën se njeriu është ngushtë i lidhur për një jetesë të lirë, të sigurtë dhe pa rreziqe. Rregullat e reja të kësaj mënyre të jetesës nën kushtet e izolimit dhe rezistencën e njeriut ndaj armëve biologjike tregojnë se fuqia mendore dhe shpirtërore është mbi të gjitha kënaqësi për të dalë nga kriza aktuale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button