(FOTO) Tetovë, pastrohet vetëm qendra sa për sy e faqe

Tetova pastrohet vetëm në qendër sa për mos të rënë në sy se qyteti mbytet në bërllok.

Portalb mëson se disa punëtorë të Ndërmarrjes Publike Komunale pas një marrëveshje personale me udhëheqësit e ndërmarrjes kanë pastruar vetëm pjesën qendrore të qytetit ndërsa rrugët dytësore dhe lagjet e Tetovës i kanë lënë të paprekura.


Këtë e kanë bërë ngaqë serish u janë premtuar rrogat, por në vija të përgjithshme greva e punëtorëve vazhdon.

Në një bisedë telefonike me drejtorin e Ndërmarrjes Publike Komunale Tetovë, Ajet Murati ai na siguroi se sot ua kanë lëshuar pjesën e mbetur të rrogave dhe se qyteti do të pastrohet që sot.

Por, Portalb nuk pa asnjë punëtor të pastrojë. Falë dëborës pisllëku nuk duket aq shumë sa në të vërtetë është grumbulluar, të shpresojmë mos të përhapet ndonjë deponi.

Madje, deklaratën e Muratit kategorikisht e ka mohuar një punëtor i cilin deshi të mbetet anonim për shkaqe sigurie.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë rrogë gjatë ditës së sotme dhe nuk besoj se do të pranojmë. Jemi duke biseduar me udhëheqësit e ndërmarrjes por nuk ka asnjë përparim. Pra, greva do të vazhdojë deri sa të na jepen të gjitha rrogat” u shpreh për Portalb punonjësi i NPK Tetovë.
Gjatë viteve të fundit Tetova ka pasur shumë probleme me deponinë e egër që u krijua afër stacionit të autobusëve, mirëpo tani rreziku është më i madh sepse ka gjasa që tërë qyteti të shndërrohet në deponi të madhe. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button