Koronavirusi mund të shkaktojë kaos rajonal dhe botëror!

S’ka ditë që nuk më bie të lexoj lloj-lloj teori të konspiracionit lidhur me pandeminë aktuale, e që më së shumti kanë të bëjnë me “komplotin botëror” financiar. Pa dashtë që t’i komentoj këto teori, pasi janë larg domenit tim, është fakt se ndër shekuj kur objektivisht as që kanë ekzistuar financat rajonale e globale, pandemitë kanë kositur popullata të tëra. Familjet e sotme magnate financiare botërore as që kanë ekzistuar atëherë.

Si pandemi më e vjetër njihet ajo e Peloponezit e shekullit 5- p.e.r, e cila pat zhdukur afro 70 për qind të popullatave, madje edhe mbretin e famshëm Mark Aureli. E njohur është edhe „Мurtaja Аziatike“ e cila në shekullin 6, e pat mbytë mbi gjysmën e popullatës aziatike. Ole Benegditou, profesor në Oslo, sqaron se në mesjetë “Murtaja Burgone” pat mbytur afro 60 milion njerëzim, pra afo 65% të popullatës së atëhershme evropiane ose 32% të popullatës botërore. Dejv Vagner shkruan se “Murtaja e Zezë” kishte mbyt rreth 200 milion njerëz (gjatë viteve 1347-1353). Evropës iu deshtën dy shekuj që ta kthejë popullatën e humbur nga kjo murtajë.

“Lia e Madhe”, gjer në shekullin 20 kur u gjet vaksina kundër saj, morri jetën e afro 500 milion banorëve (aq sa Kina kishte banorë në fillim të shekullit 20). Nga epidemitë spanjolle të eksportuara në Amerikë në shekullin 15 u patën zhdukë afro 80 % të popullatës vendase, kurse “Gripi Spanjoll N1H1” gjatë viteve 1918-1920 pat zhduk rreth 100 milion njerëz.

Shkenca dhe teknologjia, pesë dekadave të fundit sikur çrrënjosën shumë epidemi të vrasjeve masive, por disa viruse apo baktere sikur pësojnë mutacion. Tani serish frika e përmasave botëroreve lidhur me Koronavirusin duket s’i pak e tepruar. Ekspertët thonë se ai nuk paraqet ndonjë rrezik të madh për njerëzimin botëror, por që nëse nuk menaxhohet si duhet fare lehtë mund të sjellë gjer në kaos të vërtetë me përmasa të mëdha qetësie e sigurie në shumë vende të botës.

Problemi nuk është te numri i viktimave, pasi ai realisht duket se është i ulët, diku 2 – 3 për qind nga ata që manifestojnë simptome më serioze nga sëmundja, pasi një pjesë e konsiderueshme e të infektuarve as që e ndjejnë sëmundjen dhe ata nuk hyjnë në statistikë. Kështu që realisht përqindja e vdekshmërisë është akoma më e vogël. Të përkujtojmë se në Evropë kemi rreth 16 herë më tepër në ditë vdekshmëri nga infarkti dhe kanceri. Por, panik s’ka!

Nëse është ashtu, atëherë ku qëndron problemi që qeveritë e shumë shteteve në botë përjetojnë horror duke ndërmarr masa drastike radikale në funksionimin e shoqërisë? Përgjigja është në kapacitetin shumë të madh infektues të këtij virusi, për të cilën ekspertët Perëndimorë konstatojnë se afro 13 herë është më shpejt infektues se sa viruset e zakonshëm të gripit. Normal se një masivitet kaq të madh infektimi, fare lehtë mund të sjellë gjer në kolaps çdo sistem shëndetësor, veçanërisht të shteteve të dobëta.

Në këso rastesh fare lehtë mund të humbet kontrolli për shkak të numrit drastik të pacientëve të infektuar që shumëfish mund t’i tejkalon kapacitetet ekzistuese shëndetësore. Radhët për tretman do të ishte marramendëse sikur në filmat e fantazive, kurse kapacitetet reale larg nevojës. P.sh. numër i kufizuar aparatesh për frymëmarrje artificiale as përafërsisht nuk mund të plotësojnë përmasat e mëdha të kësaj epidemie, kështu që kjo mjekët do t’i detyronte në seleksionim të pacientëve, gjë e cila mund të shkaktojë revoltë me përmasa masive dhe vandaliste. Në fakt këtë nuk mund ta përballojë asnjë shtet në botë. Në këso rrethanash personeli mjekësor fare lehtë mund të paralizohet, barnat të shteren dhe të fillojnë pakënaqësitë dhe sjelljet destruktive në çdo ambient tjetër, gjë e cila sjell në kaos të vërtetë në gjithë shtetin ku çdo gjë kolabon duke përfshirë edhe policinë. Andaj edhe me arsye të gjitha shtetet e botës i frikohen këtij virusi, madje disa e emërojnë edhe si “Virus i Djallëzuar”.

Shtetet domosdo duhet të ndërmarrin masa drastike që të kufizojnë numrin e të infektuarve, por edhe të sigurojnë kushte jetese dhe funksionim elementar të institucioneve. Edukimi i detajuar i popullatës duhet të ketë prioritet absolut. Dhe të pushojmë së vajtuari dhe seriozisht t’i qasemi punës. Sepse lotët mund të sjellin keqardhje, por vetëm puna sjell rezultate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button