Zyrtare: U shpall gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

18.00 –  Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në një konferencë të jashtëzakonshme sapo e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Dua të informoj qytetarët, se pak më herët e nënshkrova Vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në gjithë territorin e shtetit”, deklaroi Pendarovski.

Ai sqaroi se Qeveria ka dërguar kërkesë te Kuvendi, por kryetari i Kuvendit e ka dërguar te Presidenti, me arsyetimin se Kuvendi është i shpërbërë.

“Vendimi im bazohet në nenin 125 të Kushtetues, që jep mundësi të tilla, kur Kuvendi për arsye të ndryshme nuk mund të mblidhet”, deklaroi Pendarovski.

Ai sqaroi se gjendja e jashtëzakonshme do të zgjatë 30 ditë, por që mund të zgjatë me kërkesë të Qeverisë, nëse paraprakisht jep raport për efektin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Ai tha se tani Qeveria ka të drejtë të përdorë çdo resurs shtetëror dhe privat për t’u ballafaquar më lehtë me krizën.

Ai tha se pret nga Qeveria të tregojë në mënyrë transparente dhe çdo ditë, masat e reja që do t’i merr së bashku me institucionet e tjera.

Stevo Pendarovski

Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si teknike

“Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si teknike, në të do të vazhdojnë të japin kontributin e vet të rëndësishëm edhe përfaqësuesit e opozitës. Kjo është një mundësi që të dëshmojmë në vepër se për shtetin tonë dhe për qytetarët, të gjitha partitë politike do të punojnë së bashku për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe nuk do të kujdesen pë rejtingun e tyre politik,” tha ai.

U bëj apel të gjithë qytetarëve të atdheut tonë të përbashkët dhe të vetëm, të jemi të qetë, të jemi të përgjegjshëm dhe të jemi solidarë ndaj njëri-tjetrit. Nëse ndihmojmë njëri-tjetrin, nëse mbahemi bashkë do ta kalojmë me siguri edhe këtë gjendje të vështirë, si shumë herë deri tani në historinë tonë!” tha ai.

“Dua t’i falenderoj të gjithë punonjësit e angazhuar të shëndetësisë, policët, ushtarët dhe vullnetarët, të cilët në dy javët e kaluara kanë bërë përpjekje mbinjerëzore që t’i ndihmojnë qytetarët e goditur nga kjo sëmundje.” u shpreh Pendarovski.

Për shtetasit tanë të cilët janë me qëndrim jashtë vendit, është më e mençur të qëndroni në vendin ku jeni, derisa të zgjasë kjo gjendje, tha ai.

“Nëse, megjithatë, vendosni të ktheheni në shtëpi, duhet t’i respektoni me patjetër të gjitha masat që i kanë caktuar institucionet kompetente, kurse kjo nënkupton edhe mundësinë që të vendoseni në karantinë.” tha presidenti.

Jini të disiplinuar dhe të përgjegjshëm së pari ndaj vetvetes, ndaj më të afërmve tuaj, sidomos duhet të jeni të përgjegjshëm dhe t’i ndihmoni më të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike, u shpreh Pendarovski.

“Mos dilni nga shtëpia nëse nuk keni nevojë më domethënëse. Ndiqini informacionet e institucioneve kompetente dhe respektojini përpikmërisht rekomandimet e tyre.” tha ai.

Zgjedhjet do të shtyhen

“Zgjedhjet e caktuara më 12 prill duhet të shtyhen me patjetër dhe të caktohen atëherë kur të krijohen kushtet për shprehje demokratike dhe të drejtë të qytetarëve. Analizat, debatet dhe kalkulimet për fitimin e votave apo mandatet për deputetë tani duhet t’i lëmë anash, sepse janë pa vlerë në raport me më të vyeshmen – jetën e qytetarëve tanë.” u shpreh Pendarovski.

ÇFARË DO TË THOTË GJENDJA E JASHTËZAKONSHME?

Në aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në nenin 125 thuhet se:
“Gjendja e jashtëzakonshme miratohet kur të ndodhin fatkeqësi të mëdha natyrore apo epidemi. Vendimi me të cilin vërtetohet gjendja e jashtëzakonshme sillet me shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe vlen më së shumti 30 ditë. Nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, (siç është rasti momentalisht), vendim për gjendje të jashtëzakonshme sjell presidenti i shtetit dhe ia dorëzon Kuvendit për konfirmim, sapo të ketë mundësi të mblidhet.”

Çfarë do të thotë kjo?


“Gjatë gjendjes ushtarake apo të jashtëzakonshme, Qeveria në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me ligj sjell dekrete ligjore. Autorizimi i Qeverisë që të sjellë dekrete ligjore zgjat deri në përfundimin e gjendjes ushtarake apo të jashtëzakonshme, për të cilën vendon Kuvendi”.

Stevo Pendarovski, Armata
Stevo Pendarovski, Armata

Kjo do të thotë se Qeveria do të ketë hapësirë të sjell dekrete ligjore pa kalimin e tyre në Kuvend. Të gjitha vendimet që do t’i sillte Qeveria gjatë gjendjes së jashtëzakonshme do të mund që menjëherë të hyn në fuqi dhe kjo do të thotë ballafaqim më urgjent dhe më efikas me infeksionin.

Spasovski: Kërkojmë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në RMV shkaku i virusit korona, tani dhe menjëherë!

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski tha se Qeveria ka vendosur të kërkojë nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, që në vend të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për t’u mbrojtur me masa më rigoroze nga përhapja e virusit korona, njofton Portalb.mk.

“Ballafaqohemi me situatë serioze dhe të jashtëzakonshme, duhet të ndërmerren masa të jashtëzakonshme. Kërkojmë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Maqedonisë, tani dhe menjëherë. Qeveria e RVM-së nuk ka më dilema, në seancë vendosëm që masat e deritanishme i kanë dhënë rezultatet e pritura, por është e nevojshme të shtohen masat, të përforcohen dhe të radikalizohen duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme, që të parandalojmë eskalim të situatës ” tha mes tjerash ai.

Edhe pse Parlamenti është shpërbërë, tha ai, ka mundësi kushtetuese që presidenti i vendit, Stevo Pendarovski të vendosë gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

Xhaferi: Kuvendi nuk do të takohet, presidenti do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në deklaratë për MIA-n thotë se e pret propozimin e kryetarit të Qeverisë teknike, Oliver Spasovski që do t’ia dërgojë presidentit të vendit i cili ka kompetenca për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në shtet.

LEXO: Filipçe: numri i të infektuarve është 35, analizohen dhe 30 persona nga Kumanova, Shkupi, Dibra (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button