“Korona”, larg familjes dhe në katër mure, si ndjehen studentët shqiptar jashtë shtetit, flet Fisniku

Ai shkoi për të shijuar eksperiencën studentore në një ndër shtetet e Bashkimit Evropian, por në vend të kësaj ai tani kohën e kalon në izolim shtëpiak, duke lexuar libra e duke parë filma. Si e përjetojnë studentët shqiptar në shtetet evropiane pandeminë e virusit korona, këtë na shpjegon Fisniku, student në Universitetin e Ljubljanës, Slloveni, njofton Portalb.mk.

I motivuar dhe me plot dëshirë Fisniku morri vendimin për të studiuar një semestër jashtë vendit, edhe pse nuk i doli sipas planit ai kohën e kalon duke ndjekur mësimin online e duke lexuar libra.

“Para se të vija këtu kisha një eufori ndjenjat dhe isha shumë i motivuar për të filluar një periudhë të re në jetën time, ditët e para i shijova shumë. Megjithatë, kjo nuk zgjati shumë për shkak se ky virus vetëm disa javë më vonë na izoloi të gjithëve, kurse motivimi filloi të bjerë” tha Fisnik Xhelili.

Marrë parasysh se Sllovenia ku edhe ndodhet Fisniku kufizohet me Italinë, një ndër shtetet më të prekura nga ky virus, ai tha se një gjë e tillë pritej të ndodhe dhe nuk është se i ka befasuar shumë, ngaqë siç shprehet ai, ata më vetëm se ishin përgatitë psiqikisht dhe fizikisht.

“Që në fillim kur flitej për virusin korona dhe arritjen e tij në shtetet e Bashkimit Evropian ne ishim të vetëdijshëm se kjo do të vije edhe në Slloveni, këtu ku jemi ne. Kur gjithçka shpërtheu në Itali, ne vetëm se filluam të përgatitemi psiqikisht dhe fizikisht që virusi të arrije në Slloveni, meqenëse ne kufizohemi me Italinë. Sidoqoftë, shteti këtu nuk u vonua dhe menjëherë u ndërmorën masat e nevojshme për parandalimin e virusit, edhe atë u mbyllën Universitetet dhe gjithçka tjetër që grumbullon njerëz” theksoi Fisnik Xhelili.

Ajo që studentin shqiptar në Slloveni e ka goditur më shumë është izolimi shtëpiak, për shkak se ka qenë një grusht për të gjitha planet të cilat i kishte ky djalosh së bashku me të tjerët që kishin shkuar për studime në një nga shtetet më të fuqishme në Bashkimin Evropian.

“Ajo që na ka goditur më së shumti ishte izolimi shtëpiak, nuk e prisnim një gjë të tillë sepse ne si studentë që kur ishim në Maqedoninë e Veriut i bëmë të gjitha planet tona për aktivitetet e mundshme që do ti realizonim në Slloveni, e në momentin kur u izoluam sikur këto plane morën fund. Për ta hequr sadopak mendjen nga kjo, ne kohën e kalojmë duke lexuar libra, shohim filma, gatuajmë e gjithçka tjetër në katër muret e konviktit studentor” theksoi Fisnik Xhelili.

.

Xhelili tha që personalisht nuk ndjehet i rrezikuar nga virusi korona për shkak se ai shumë kohë më herrët i ka ndërmarrë të gjitha masat preventive sa i përket këtij virusi, ai tha se mbrohet me maska mbrojtëse, krem dezinfektimi dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme. Megjithatë, ai shpreson që kjo situatë do të kalojë sa ma shpejt në mënyrë që ai dhe të gjithë kolegët e tij ta përfundojnë këtë eksperiencë ndërkombëtare me sukses.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut është shpallur gjendje e jashtëzakonshme nga data 18 mars 2020 dhe do të zgjatë 30 ditë. Kurse të infektuar në vend deri në këto momente ka 42 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button