Virusi korona, Lëvizja BESA: Propozojmë masa lehtësuese për qytetarët dhe ndërmarrjet

Lëvizja BESA është duke e përcjellë situatën e krijuar me përhapjen e pandemisë së virusit COVID-19 dhe sipas tyre përveç kujdesit maksimal që duhet t’i kushtohet respektimit të rekomandimeve nga institucionet përkatëse, po ashtu nuk duhet të harrojmë se situata e krijuar njëkohësisht është duke e dëmtuar edhe funksionimin normal të shoqërisë, bizneseve dhe në përgjithësi të jetesës së qytetarëve, njofton Portalb.mk.

“Duke i marrë parasysh gjitha rrethanat e krijuara vlerësojmë se për hir të parandalimit të përhapjes së virusit korona, shteti urgjentisht duhet të hyjë në gjendje të jashtëzakonshme pasi që kjo është forma e vetme për të radikalizuar masat për mbrojtje kundër kësaj pandemie që po përhapet shumë shpejt në rajon por edhe në vendin tonë”, thonë nga Lëvizja BES.

Por duke qenë edhe koshient se nga situata e krijuar do të dëmtohen ekonomikisht qytetarët por edhe bizneset, thonë nga Lëvizja BESA, ne u propozojmë disa institucioneve përkatëse që të ndërmarrin masa lehtësuese edhe për personat fizik por edhe për ata juridik.

Prandaj:

  1. Kërkojmë nga Qeveria që të dërgojë urdhëresë deri te gjithë përmbaruesit në Maqedoninë e Veriut për të prolonguar aktet e plotfuqishme për pagesë të detyrueshme ndaj personave fizik dhe juridik në afat prej së paku 3 muaj.
  2. Kërkojmë nga EVN-Maqedoni që të shtojë afatin e faturave të papaguara nga dy në katër muaj duke mos i ndërprerë energjinë elektrike amvisërive por edhe bizneseve deri në katër fatura pa pagesë.
  3. Të hapen qendra sociale në të gjitha komunat ku të gjithë rastet sociale dhe ata të cilët nuk kanë asnjë të ardhur në familjet e tyre të furnizohen falas me produkte elementare ushqimore dhe higjienike.
  4. Gjitha bankat komerciale në vend të prolongojnë afatin e pagesave për kreditë e marra nga personat fizik dhe juridik për së paku 3 muaj.
  5. Bizneseve të vogla në tre muajt e ardhshëm t’u ndahen ndihma financiare deri në 3000 euro në muaj varësisht nga numri i të punësuarave, me çrast do ndihmonte mbijetesën e tyre në momente të situatës në të cilën ndodhet shteti.
  6. Masat e qeverisë për stimulim të biznesit si ato të vetëpunësimit apo grantet e ndryshme në kushtet që ndodhet shteti duhet ndërpritet dhe gjithë këto mjetë të rialokohen për mbështetje të bizneseve aktive të vogla dhe të mesme varësisht prej nevojave. Ndërsa për të gjitha kompanitë që kanë rritur çmimet e produkteve në mënyrë jo të drejt, të mos përfshihen në pjesën e masave lehtësuese nga shteti.
  7. Të prolongohet pagesa për TVSH për së paku tre muaj si dhe gjithë kompanitë që kanë gjeneruar fitim në vitin e kaluar fiskal nëse ato mjete i ri-investojnë në kompaninë e tyre, atëherë të njëjtën të jenë të liruar nga tatimi në fitim.

“Këto masa të cilat i propozojmë janë të bazuara në kërkesa reale të qytetarëve dhe për të njëjtat ekzistojnë mundësi shumë reale për tu realizuar nga ana e qeverisë. Urojmë që situata e krijuar me virusin korona të tejkalohet dhe njëkohësisht të gjithë ne duhet të sillemi si protagonistë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm qoftë si individ apo edhe si subjekte politike pasi që tash nuk kemi oponencë me njëri tjetrin por kemi një armik të përbashkët që quhet korona virus dhe për ta luftuar këtë duhet të gjithë bashkërisht të veprojmë konform rekomandimeve dhe përcaktimeve të institucioneve përkatëse. Kjo betejë është e përbashkët pa dallim përcaktimit politik, etnik, fetar apo çfar do lloj përcaktimi tjetër. Ne mundemi dhe do ia dalim!”, thonë nga Lëvizja BESA.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button