Shkup, ministri i Arsimit inkurajoi arsim joformal me platforma digjitale

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi dhe kryetari i Komunës së Karposhit, Stefan Bogoev, në një konferencë për media kanë njoftuar për aktivitetet që ndërmerren për arsim joformal gjatë periudhës sa është ndërprerë procesi edukativo-arsimor shkaku i koronavirusit (Covid-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Ademi tha se në kushte të pandemisë botërore, shumë procese janë në ngecje, por theksoi se institucionet kompetente gjejnë zgjidhje alternative me qëllim që shkollimi i nxënësve të mos ketë pasoja.

Ai tha se menjëherë pas vendimit për ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor në të gjitha nivelet, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka punuar në një plan që nxënësit të mos e kalojnë kohën në mënyrë pasive.

Ministri Ademi informoi se në televizionin shtetëror nga e hëna kanë filluar të transmetohen programe edukative të arsimimit joformal.

“Programi edukativ do të realizohet derisa të stabilizohet situata dhe derisa të kthehen fëmijët sërish në shkolla dhe kopshte. Me këtë rast më lejoni të shreh mirënjohjen time të thellë për një numër të caktuar të komunave dhe të shkollave të cilat në këto situata, me vetiniciativë, kanë gjetur mënyrat e tyre për vazhdimin e edukimit të nxënësve”, tha Ademi.

Ai tha se një shembull i këtillë është edhe Komuna e Karposhit, ku autoritetet lokale kanë iniciuar platformë digjitale për shpërndarjen e përmbajtjeve arsimore, duke inkurajuar njëkohësisht edhe komunat tjera që të zbatojnë të njëjtën.

“Kjo platformë siguron komunikim të dyanshëm ndërmjet nxënësve dhe mësimdhënësve. Kjo ndikon që të kontrollohet efekti i llojit të këtillë të edukimit”, theksoi Ademi, duke shtuar se bëhet fjalë për arsim joformal i cili nuk mund të zëvendësojë tërësisht arsimin në shkollë.

Kryetari i Komunës së Karposhit, Stefan Bogoev tha se komuna me të cilën udhëheq ai, ka iniciuar zbatimin e arsimit elektronik, ndërsa u bëri thirrje mësimdhënësve që të jenë kreativë dhe të tërheqin vëmendjen e nxënësve gjatë kohës sa shkollat janë të mbyllura.

Ademi dhe Bogoev gjithashtu theksuan se shkaku i situatës së krijuar nga kronovirusi, nuk është e qartë se sa do të zgjasë periudha e ndërprerjes së procesit edukativo-arsimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button