Agim Kuleta Fiton dhe Tërhiqet në Tender Parlamenti

Zyra e Prokurimit e Kuvendit të Kosovës shpalli fitues në tender publik një kompani private ku 50 për qind të aksioneve i posedon Agim Kuleta, deputet opozitar nga “Lëvizja për Bashkim”. 

Kompania “X-Print”, një shtypshkronjë private, më 7 dhjetor të këtij viti u shpall fitues në tenderin “Botimi i librit për nevojat e Kuvendit të Republikës së Kosovës” . 

Oferta e kësaj kompanie ishte 4 mijë e 100 euro. 

Dy kompani tjera ishin në garë dhe Zyra e Prokurimit në Njoftimin për Dhënie të Kontratës vlerësoi se “X- Print” kishte ofertën më të ultë në tender. Oferta më e lartë ishte në vlerë prej 4 mijë e 400 euro. 

Kontrata mes palëve megjithatë nuk pritet të nënshkruhet pasi që deputeti Kuleta kërkoi anulimin e tenderit menjëherë pasi që u pyet për këtë nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Atij iu rekomandua tërheqja edhe Agjencia Kundër-Korrupsion (AKK). 

Kuleta fillimisht deklaroi se nuk ishte i informuar që kompania ku është aksionar kishte fituar një tender nga Kuvendi i Kosovës. 

“Nuk jam i përfshirë në punët tenderuese. Unë madje nuk e di që shtypshkronja ka fituar këtë tender sepse prej se kam filluar punën si deputet nuk  merrem më me shtypshkronjën…e tëra udhëhiqet nga vëllai”, tha Kuleta.

Por, Kundër-Korrupsioni nisi hetim administrativ rreth këtij rasti. 
 
“Është pranuar informata, i është dërguar departamentit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe kanë filluar procedurat e shqyrtimit rreth këtij rasti”, tha fillimisht Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër-Korrupsionit. “Për çdo informatë do të njoftoheni me kohë”.

Kuleta, në një deklarim të dytë për gazetën, tha se të enjten më 13 dhjetor ka qenë për vizitë në Agjencinë Kundër-Korrupsion.  

Ai tha se aty kishte shkuar me vetiniciativë për të marrë këshilla nëse lidhja e kontratës do të përbënte konflikt interesi. 

“Pasi jam konsultuar me Agjencionin Kundër Korrupsion se a përbën kjo konflikt interesi, ata më kanë sugjeruar që të mos nënshkruhet kontrata dhe të tërhiqet kompania nga tenderi sepse është konflikt interesi”, tha Kuleta. 

Kompania, sipas tij, nuk do të konkurronte fare në tender, por ai nuk ishte i informuar për këtë. 

“Zyrtarët e ‘X-Print’ nuk janë juristë për të ditur se konkurrimi nuk ishte i ligjshëm”, shtoi Kuleta. 

“Pas kësaj (konsultimit në AKK) unë kam bërë kërkesë në Kuvend që të mos nënshkruhet kjo kontratë”, tha ai. 

Edhe Agjencia Kundër Korrupsion konfirmoi se Agim Kuleta kishte kërkuar të dinte nëse lidhja e kontratës mes palëve përbente konflikt interesi. “Ne i kemi sugjeruar që është më mirë të tërhiqet sepse rasti përbën konflikt interesi”, tha Hasan Preteni.

Sipas tij, kjo situatë përbën konflikt interesi pasi që deputeti ka 50 për qind të aksioneve në këtë kompani private dhe nuk mund të fitojë në prokurimet e Kuvendit të Kosovës. 

I vëllai i tij, Ilir Kuleta, figuron si pronar i vetëm i kësaj shtypshkronje në regjistrat e biznesit në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë (MTI). 

Por, Agim Kuleta edhe në deklarimet e pasurisë më 2011 edhe më 2012 ka deklaruar 50 për qind të aksioneve në “X Print” dhe në “Fair Play”.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se institucioni nuk ishte i informuar se deputeti kishte aksione në këtë kompani private. “Nuk e kemi ditur që deputeti është aksionar pasi që personi i autorizuar i kësaj kompanie ka qenë dikush tjetër”, tha Krasniqi.

Si person i autorizuar i kësaj kompanie në regjistrat e biznesit figuron Esat Ejupi. 

Por, sekretari i Kuvendit të Kosovës konfirmoi se kërkesën për anulim të tenderit e ka bërë vetë deputeti Kuleta menjëherë pasi kjo temë është ngritur në pyetjet e dërguara nga Gazeta Jeta në Kosovë.

“Pasi që kontrata ende nuk është nënshkruar, do të anulohet tenderi”, tha Krasniqi.

Deputeti i “Lëvizjes për Bashkim”, kur kishte deklaruar pasurinë në Kundër Korrupsion në mars të këtij viti, kishte kallëzuar se ka nga 50 për qind të aksioneve në dy kompani private. 

Njëjtë si në kompaninë X Print, ai thoshte se kishte aksione edhe në kompaninë “Fair Play”, që ka për veprimtari biznesin e stadioneve e fushave sportive. 

Aty, Kuleta shënonte se merr mbi 17 mijë euro të ardhura nga puna si deputet dhe se siguronte të tjera nga bizneset. 

Ai deklaronte të ardhura vjetore në vlerë prej mbi 6 mijë euro nga “Fair Play” e po ashtu të ardhura në vlerë prej mbi 143 mijë euro nga kompania “X Print”.

Një muaj pas deklarimit të pasurisë, në prill të vitit 2012, Kundër Korrupsioni detyroi Kuletën që të tërhiqej nga pozita e personit të autorizuar në këto dy kompani ndonëse në deklaratën e tij të vitit 2011 ai ishte deklaruar si person i autorizuar vetëm tek X Print.  

Kundër-Korrupsioni pati konstatuar se mbajtja e këtyre pozitave në kompani private paraqiste papajtueshmëri në ushtrimin e postit publik, veprim ky që është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit

Lajme të ngjashme

Back to top button