“Korona”, mentalisht dhe fizikisht, sa t’sigurtë janë punonjësit e shitoreve, flet Shenolli

As kafenetë, as restorantet e as shkollat nuk janë të hapura me qëllimin e vetëm të parandalimit të përhapjes së virusit korona. Kurse të vetmet që punojnë janë shitoret me ushqim dhe spitalet. Shenolli, shitës në një nga shitoret më të mëdha në vend na shpjegoi se si ai e përjeton këtë periudhë krize në punë, shkruan Portalb.mk.

Për të, nuk është aspak e lehtë të punohet në këtë gjendje krize shoqërore, e për ta vështirësuar gjendjen ende më shumë sipas tij ndikojnë shitësit të cilët siç na shpjegon ai, janë jashtëzakonisht të stresuar.

“Gjithsesi se nuk e kam të lehtë të punoj në këto kushte, stresi ekziston dhe është diçka që nuk mund ti shmangemi marrë parasysh gjithçka që lexojmë. Neve, punonjësve në shitore më të vështirë na bëjnë populli i cili është në një panik të paarsyeshëm dhe në momentin kur bëjnë pazar, e bëjnë në mënyre anormale, kështu duke shpërndarë ndoshta edhe një panik deri te ne që e kemi patjetër të punojmë në këto ditë të vështira” tha Shenoll Jakupi, punonjës i një shitoreje në Tetovë.

Shenolli nuk e mohon se i ka ndryshuar rutina e jetës, për shkak se këto ditë për shitësit janë shumë të ngjeshura. Megjithatë, ai na informoi se ndjehet i sigurt dhe përmes Portalb.mk bëri thirrje deri te të gjithë punëdhënësit që në mes të tjerash, punonjësit t’i sigurojnë nga çfarëdo rreziku potencial.

“Nuk mund të thuhet jeta më ka ndryshuar, mirëpo rutina e jetës absolutisht që po sepse në këto momente në punë jemi jashtëzakonisht shumë të angazhuar. Në gjithë këtë mendoj se ekziston një e mië, unë në punë ndjehem shumë i sigurt dhe nuk frikësohem aspak kur jam duke punuar për shkak se jemi të mbrojtur me maska, doreza, me krem dezinfektues për dhe gjithashtu secilën gjysmë ore dezinfektohen koshat për pazar, kasa, derët dhe gjithçka tjetër që është rrezik potencial për bartjen e virusit korona. Andaj, e rëndësishme është që si une, ashtu edhe gjithë personat tjerë të cilët janë të detyruar të punojnë këto  ditë të vështira, të paktën të ju mundësohet që të jenë të sigurte në vendin e punës për shkak se stresi i tepër është gjëja e fundit që na nevojitet tash” tha Shenoll Jakupi.

Shitës, treg
Shitës, treg

Punonjësi i një ndër shitoreve më të mëdha në vend na tha se pa marrë parasysh rrethanave rënduese në këto momente, ai në asnjë moment nuk ka menduar ta lëshoj vendin e punës për shkak se siç na tregon ai, është një ndër punët që e bën me shumë dashuri.

Kurse për blerësit në këto ditë të vështira, ai ka vetëm një mesazh edhe atë që ata të mundohen në maksimum të mos bëjnë panik për shkak se është shumë e panevojshme. Shenolli informon njerëzit që ka artikuj mjaftueshëm për të gjithë, sepse të gjitha shitoret në vend vazhdimisht furnizohen në këto ditë kur është e nevojshme një gjë e tillë më shumë se asnjëherë më parë.

Ndryshe, sot kryeministri teknik Oliver Spasovski kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, ai tha që kjo është shumë e nevojshme për parandalimin e virusit korona në vend. Kurse të infektuar në vend deri në këto momente ka 35 persona, edhe atë 23 nga Dibra kurse 12 nga Shkupi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button