Spasovski: Kërkojmë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në RMV shkaku i virusit korona, tani dhe menjëherë!

Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski tha se Qeveria ka vendosur të kërkojë nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, që në vend të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për t’u mbrojtur me masa më rigoroze nga përhapja e virusit korona, njofton Portalb.mk.

“Ballafaqohemi me situatë serioze dhe të jashtëzakonshme, duhet të ndërmerren masa të jashtëzakonshme. Kërkojmë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Maqedonisë, tani dhe menjëherë. Qeveria e RVM-së nuk ka më dilema, në seancë vendosëm që masat e deritanishme i kanë dhënë rezultatet e pritura, por është e nevojshme të shtohen masat, të përforcohen dhe të radikalizohen duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme, që të parandalojmë eskalim të situatës ” tha mes tjerash ai.

Edhe pse Parlamenti është shpërbërë, tha ai, ka mundësi kushtetuese që presidenti i vendit, Stevo Pendarovski të vendosë gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 30 ditëve.

“Ka bazë ligjore dhe kushtetuese, vetëm nevojitet vullnet dhe përgjegjësi të lartë nga gjithë subjektet politike ta pranojnë këtë realitet dhe të lejojnë të zbatohet kjo masë. Kjo do të jetë hera e parë në historinë e shtetit tonë të vendoset kjo masë. Ky është vendimi më i vështirë i Qeverisë në historinë e vendit tonë.” tha ai.

“Asgjë më nuk është e njejtë, të gjithë mbajmë përgjegjësi për ta mbrojtur popullin tonë. Politika të lihet anash, bëhet fjalë për shëndetin tonë!” tha Spasovski. 

Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të thotë që automatikisht do të vendosen ndalesa në lëvizjen e qytetarëve.

“Vendimet për ndalesat e reja, do t’i marrim në bazë ditore dhe do t’i informojmë qytetarët siç e kemi bërë këtë deri më tani. Situata e jashtëzakonshme i jep të drejtë Qeverisë dhe krijon kushte që në mënyrë efikase dhe të shpejtë të zbatohen masat për parandalim dhe mbrojtje të shëndetit të qytetarëve si dhe fundja edhe ekonomisë tonë. Kështu Qeveria mund të punojë pa pengesa në këtë luftë me virusin dhe të ndërmerr masa për shpëtim të qytetarëve dhe ekonomisë” u shpreh Spasovski.

Ai apeloi që situata të merret me seriozitet nga TË GJITHË dhe t’i respektojnë masat e ndërmarra deri më tani.

Deri më tani, numri i të infektuarve në vend ka shkuar në 35.

ÇFARË DO TË THOTË GJENDJA E JASHTËZAKONSHME?

Në aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në nenin 125 thuhet se:
“Gjendja e jashtëzakonshme miratohet kur të ndodhin fatkeqësi të mëdha natyrore apo epidemi. Vendimi me të cilin vërtetohet gjendja e jashtëzakonshme sillet me shumicë prej dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe vlen më së shumti 30 ditë. Nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, (siç është rasti momentalisht), vendim për gjendje të jashtëzakonshme sjell presidenti i shtetit dhe ia dorëzon Kuvendit për konfirmim, sapo të ketë mundësi të mblidhet.”

Çfarë do të thotë kjo?


Presidenti, Stevo Pendarovski ka mundësi menjëherë të shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe të fillojë zbatimi i masave, kufizimi dhe ndalesat gjatë funksionimit të përditshëm të qytetarëve. Më tej, në nenin 125 i Kushtetutës qëndron
“Gjatë gjendjes ushtarake apo të jashtëzakonshme, Qeveria në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me ligj sjell dekrete ligjore. Autorizimi i Qeverisë që të sjellë dekrete ligjore zgjat deri në përfundimin e gjendjes ushtarake apo të jashtëzakonshme, për të cilën vendon Kuvendi”.

Stevo Pendarovski, Armata
Stevo Pendarovski, Armata

Kjo do të thotë se Qeveria do të ketë hapësirë të sjell dekrete ligjore pa kalimin e tyre në Kuvend. Të gjitha vendimet që do t’i sillte Qeveria gjatë gjendjes së jashtëzakonshme do të mund që menjëherë të hyn në fuqi dhe kjo do të thotë ballafaqim më urgjent dhe më efikas me infeksionin.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, pas takimit të liderëve foli pikërisht në këtë drejtim, se gjendja e jashtëzakonshme është e domosdoshme që të mundet në mënyrë më efikase të sillen masa urgjente nga Qeveria, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore të qytetarëve, por edhe për masat ekonomike për ndihmën ndaj ekonomisë, ndërsa me atë edhe ndaj qytetarëve.

Jo rastësisht, në shumë vende të rajonit është vendosur gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa ai është trendi edhe në vendet anëtare të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button