MBI GUXIMTARËT… 

Studiuesi i njohur, Drago Chloupek, në një libër për malarien, që e botoi në vitin 1939, shkruan se sëmundjet infektuese nuk janë private, sepse prej tyre vuajnë rajone dhe popuj të tërë. Sëmundjet e këtilla (të shndërruara në epidemi apo pandemi) mund të mposhten vetëm nga shoqëria njerëzore. Por, sipas tij, është keq kur nuk e njohim armikun me të cilin përballemi.

Kush lufton duhet ta njeh armikun. Me armikun e panjohur luftohet vështirë. Armiku i panjohur mposhtet vështirë”, thotë ai.

Virusi i ri është armik i padukshëm dhe i panjohur. Me të mund të luftohet me dije, humanizëm, disiplinë, solidaritet, bashkëveprim, me ndjenjë për jetën e përbashkët. Mund të mbrohemi vetëm si shoqëri njerëzore. Sot janë vënë në sprovë këto vlera jetike për shoqërinë njerëzore.

Kundër pandemisë mund të mbrohemi ashtu sikurse na mëson mjeku i shquar kroat, Andrija Shtampari, emrin e të cilit, për disa vite, e mbante sheshi i Tetovës: se mjekësia parandaluese është më e nevojshme se sa mjekësia kuruese; se me shëndetin popullor duhet të merren të gjithë dhe jo vetëm mjekët.

Në këtë kohë duhet t’i ndihmojmë dhe t’i dëgjojmë më të rrezikuarit, njëkohësisht më të guximshmit, ata që janë pranë të sëmurëve, që i ndihmojnë ata, mjekët pra, të cilët teksa kryejnë misionin e tyre human, të lodhur nga ngarkesa në punë, që ua dobëson imunitetin, shpesh bëhen viktima të sëmundjes.

Pandemia na ka rikthyer vëmendjen tek ata që nuk i kemi dëgjuar më parë: te mjekët, te shkencëtarët. Sa herë kanë folur ata e kemi ndryshuar kanalin. Edhe i kemi përçmuar. Sakaq e shohim se sa shumë nevojë kemi për njerëzit e dijes. Në kësi rastesh e shohim se sa kohë kemi humbur me ata që flasin për gjithçka pa thënë asgjë.

Ky shkrim le të jetë një himn për mjekët, infermierët dhe gjithë personelin mjekësor që punojnë me përkushtim kur shumica janë të infektuar nga epidemia e panikut.

Le të jetë një përshpirtje për mjekët, infermierët dhe gjithë personelin mjekësor anekënd botës që ikën së gjalli teksa tentonin t’i mbanin në jetë njerëzit e prekur nga sëmundja.

Le t’i respektojmë ashtu siç respektohen nëpër librat e shenjtë, ashtu sikurse i vlerësoi Homeri para mijëra vitesh, i cili ua dha vlerën e njëqind luftëtarëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button