Tre fshatra të Kosovës u futën në karantinë

Në karantinë janë futur tri fshatra të Podujevës, pasi të dielën mbrëma është diagnostikuar me virusin COVID-19 një banor i fshatit Dumnicë e Epërme, i pari rast në këtë komunë. 62-vjeçari i infektuar me koronavirus ka ardhur nga Italia më 5 mars nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Familjarët e tij, i kanë thënë KOHËS se i njëjti ka lëvizur çdo ditë që nga ardhja në Kosovë deri të premten e kaluar. Ndërsa, të shtunën kishte shkuar në Klinikën Infektive. Djali i të prekurit me këtë virus ka thënë se prindit të tij i janë bërë kontrollet në aeroport, porse nuk kishte pasur shenja të koronavirusit. Shenjat e para i ishin shfaqur një ditë pasi kishte mbërritur në Kosovë.

“Këto simptomat e para i kanë dalë pas 1 dite që ka ardh prej Italisë, kollitje të lehtë dhe temperaturë shumë pak. Nuk ka pas telashe të mëdha, po veç që kemi dyshuar, kemi shkuar vullnetarisht në Klinikën Infektive parmbrëmë me i bë analizat, veç me ditë a është, edhe aty e kanë ndalë”, ka thënë ky familjar.

Ai thotë se pos gjyshit të tij që ka nga pak kollitje, të tjerët janë shumë mirë dhe se nuk kanë asnjë shenjë të këtij virusi.

“Po ai edhe për shkak të moshës…Pasi kanë dalë analizat që është pozitiv të dielën ka ardhur një ekip mjekësor prej Podujevës edhe veç kanë marrë shënime, kështu nuk kanë bë kontroll. Edhe e kanë bë dezinfektimin e shtëpisë, veç shtëpinë tonë ku banojnë ne. Iu thamë me i dezinfektua edhe shtëpitë e mixhallarëve se ne jemi goxha kallaballak, ne jemi 5 shpia me mixhallarë, po nuk e dezinfektuan. Jemi diku 27 veta në 5 shtëpi”, ka deklaruar ky familjar.

Ai thotë se të hënën ekipi mjekësor i kanë thënë se do të shkojnë t’ia bëjnë analizat gjyshit të tij. Ndërsa, gjyshi i tij, thotë se përveç kollitjes nuk ndien askund dhimbje dhe se pas marrjes së një injeksioni, tash ndihet shumë mirë.

“Tjertë, nipi i vogël kryet po i dhem kapak. Janë ardh aifarë ekipi (të dielën v.j.), tybe nuk janë ardh mrena. Unë mrena nejta, i kanë marrë informatat prej djelve edhe kanë shkua”, thotë plaku i familjes.

Në anën tjetër, udhtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së, Fahri Llugaliu, ka thënë se nuk ka vend për panik.

“E kemi dërguar epimideologen mbrëmë (e diel v.j.), kanë bërë vizitë shtëpiake. Vetëm i kanë rekomanduar për vetëizolim. Tash për tash nuk ka të dyshuar tjerë”, është shprehur Llugaliu.

Por, ai ka thënë se nuk kanë mjaftueshëm as staf e as mjete mbrojtëse për ta përballuar pandeminë e shpallur në nivel global.

“Si çdo QKMF në Kosovë nuk ka staf të mjaftueshëm as në Podujevë, për arsye se territori është shumë i gjerë dhe dendësia e popullatës është e madhe. Po as mjete mbrojtëse nuk kemi mjaftueshëm, por po presim këto ditë të furnizohemi nga Ministria e Shëndetësisë. Tash për tash jemi furnizuar prej Komunës. Kemi për 3-4 ditë, më së shumti një javë (mjete mbrojtëse”.

Zyrtarët komunalë nëpërmjet një njoftimi kanë kërkuar nga mjekët e pensionuar, por edhe mjekët e rinj të papunë, që të paraqiten në mënyrë vullnetare në QKMF për të ndihmuar në tejkalimin e situatës epidemiologjike. Nënkryetari i Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili e ushtron edhe funksionin e kryetarit të komunës, ka treguar për masat që i kanë ndërmarrë që prej rastit të parë me koronavirus.

“Ne mbrëmë (e diel), si e kemi marrë informatën që është një qytetar llapjan i infektuar, menjëherë e kemi thirr Shtabin në zyrën e drejtorit të QKMF-së dhe aty i kemi marrë masat menjëherë. E kemi bërë ekipin mjekësor, ekipin e policisë, kompaninë e dezinfektimit e cila ka shkua menjëherë në Dumnicë e ka bërë dezinfektimin e shtëpive të familjeve aty. Ekipi mjekësor e ka bërë kontrolle të anëtarëve tjerë të familjes dhe i ka udhëzuar se si duhet të sillen në rast se kanë simptoma, se ata nuk kanë vërejtur njëherë për njëherë simptoma”, ka thesuar Nexhmi Rudari. “Dhe sot prej 80:30 e kemi pas prapë Shtabin, kemi marrë masa shtesë me i dezinfektua hyrjet e banesave kolektive, institucionet publike, Lagjen e Dëshmorëve, edhe pse nuk i ka dy javë që ato janë dezinfektua dhe dezinsektua në një mënyrë të rregullt. Ne do ta dezinsektojmë për çdo mbrëmje QKMF-në, Emergjencën, i kemi pasjisë punëtorët shëndetësorë me pajisje mbrojtëse maska, syza, mantila, dezinfektant”.

Nënkryetari i Komunës ka marrë vendim edhe për shkurtimin e orarit të punës së punëtorëve të administratës komunale dhe po ashtu të subjekteve afariste. Ndërkohë, që një pjesë të punëtorëve i kanë liruar nga puna.

“Sot e kemi shkurtuar edhe orarin e punës së administratës prej 80:00-13:00, sepse punëtorët prej orës 12:00 nuk kanë ku të ushqehen. Ndërsa, një pjesë e kemi liruar që vijnë prej Prishtine, se nuk kanë pas as mundësi të vijnë se nuk ka pas transport”.

Kur është pyetur pse nuk janë dezinfektuar edhe shtëpitë tjera të lagjes, Nexhmi Rudari, ka thënë se kompania ka shkuar për t’i dezinfektuar edhe shtëpitë përreth.

“Raportin e kompanisë nuk e kam pa, se është menaxheri prej komune, po udhëzimet kanë qenë që me u dezinfektua shtëpitë në lagje. Tash kur te shoh raportin, se nuk kam informatë sa çfarë hapësire është bërë. Ajo ka kontratë dhe ne paguajmë vetëm për atë që e vërteton menaxheri mbikëqyrës. Nëse ka nevojë ne e çojmë prapë kompaninë”, ka thënë ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i fshatit Dumnicë e Epërme, Ruzhdi Fazliu, ka thënë se nuk mundet të hyjë as të dalë askush nga fshati.

“Gjendja në fshat, në hymje të fshatit në Dumnicë të Poshtme ku kryqëzohen rrugët, këndej tregut të bagëtive, është punkti si ktynehere nuk lejojnë as hyrje as dalje. Në fushë t’u i mbjell do hudra e do kepë jam thash te shfrytëzoj…edhe hiç s’ka lëvizje, kapak janë shqetësua njerëzit”, ka thënë përfaqësuesi i këtij fshati. “Vallahin, këta të ligë janë gjysa këtu, bile sot thash te bëj një takim me banorë, po s’po guxojnë se unë jam bash i kësaj lagje. Kjo është alarmuese qe sa ditë edhe u dashtë me i nejt gati (për gjëra ushqimore v.j.). Ishalla nuk zgjat shumë. Kjo lagjja jem jemi nja 25-26 shtëpi, me rreth 200 banorë”, tha ai.

Por, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, thotë se ka mjaftueshëm miell dhe gjëra ushqimore.

“Tërë ditën kam qenë në terren, i kam vizituar furrat, silloset me pa si është puna me furnizime. Mirë është njëherë. Furrat kanë miell për një muaj minimumi, ndërsa silloset kanë grurë të mjaftueshëm. Por, normal që ma shumë nuk munden të prodhojnë, këto janë kapacitetet e tyre prodhuese”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button