Vazhdon ndotja e liqenit në Kalishtë të Strugës

Tashmë është bërë përditshmëri për qytetarët e fshatit Kalishtë të Strugës që uji plot me fekale dhe mbeturina të tjera të hidhet në liqen. Prej vitesh sasi të mëdha të këtij uji për shkak të sistemit të papërfunduar për grumbullim të ujërave të zeza në Kalishtë, direkt derdhen në liqenin e Ohrit.

Situatë e tillë përveç se në afërsi të shkollës fillore të Kalishtit, po ndodh edhe në pjesën te hoteli ”Makpetrol” që ndodhet në afërsi të këtij vendbanimi. Këtë gjendje e konfirmojnë edhe nga Ndërmarrja publike ”Proaqua” prej ku theksojnë se e gjithë kjo situatë ndodh për shkak të mos përfundimit të projektit dhe mos gadishmërisë të atyre që investuan që ky sistem t’i dorëzohet kësaj kompanie publike.

Vait Ajro, drejtor i ”Proaqua” i Njësisë së Strugës potencon se kjo gjendje në këtë vendbanim mbretëron prej disa vitesh falë neglizhencës së atyre që investuan mjetet e donatorëve në një projekt të lënë përgjysëm si dhe të banorëve lokal të cilët ujërat e zeza të amvisërive të tyre i kanë lidhur me këtë sistem që nuk është funksional.

”Mosfunksionalizimi i këtij investimi ka rezultuar që prej vitesh në Kalishtë në dy vende ujërat e zeza të përfundojnë në liqen. Ne si ndërmarrje disa herë kemi tentuar që këtë investim ta bëjmë eficent dhe ai të na dorëzohet ne për menaxhim, gjë për të cilën nuk kemi hasur në mirëkuptim si te banorët lokal, ashtu edhe te ata që investuan këtu”, thotë Ajro, duke potencuar se këtu nuk mund të kërkohet përgjegjësi prej kompanisë ”Proaqua”.

“Duhet të jenë organe të tjera që duhet të intervenojnë në të mirë të evitimit të ndotjes së liqenit në këtë pjesë të Strugës”, sqaron Ajro.

Në disa raste autoritetet komunale të Strugës dhe Ohrit kanë kërkuar ndihmën e qeverisë që të ketë një kujdesë më të madh ndaj liqenit të Ohrit sepse ata si pushtet lokal nuk disponojnë mjetet e mjaftueshme matriale për të mbështetur dhe financuar sistemin e kolektorit të ujrave të zeza.Pothuajse në të shumtën e rasteve kur ka rreshje intezive të shiut sisitemi i kolektorit rezulton problematik dhe në disa pjesë të liqenit dhe në lumin Drini i Zi derdhen një pjesë e ujërave të zeza./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button