Në Shqipëri u rrit në 55 numri i rasteve me koronavirus

Në Shqipëri vazhdon të rritet numri i personave të prekur me koronavirusin e ri (COVID-19), ndërsa sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, deri tani janë konfirmuar 55 raste, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e ministrisë, thuhet se janë konfirmuar edhe katër raste të reja me COVID-19, përfshirë edhe 2 raste personel shëndetësor, pas testimeve në 24 orët e fundit të dhjetëra personave.

“Janë testuar në 24 orët e fundit 42 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 605 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 55 raste”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se janë testuar 89 personel shëndetësor në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitiv.

Sipas ministrisë, ky spital do të kthehet në “spital COVID”, sipas skenarëve, për të lehtësuar edhe fluksin në Spitalin e Sëmundjeve Infektive.

Nga rastet e konfirmuara pozitiv 38 janë Tiranë, 6 në Fier, 5 në Durrës (njëra ka ndërruar jetë) dhe nga dy raste në Lushnje, Elbasan dhe Rrogozhinë.

Kujtojmë se një 73-vjeçare humbi jetën më 11 mars në Shqipëri, e cila ishte e konfirmuar si paciente e prekur me koronavirusin e ri, duke shënuar viktimën e parë në vend nga COVID-19.

– Masat kundër përhapjes së koronavirusit në Shqipëri

Në kuadër të masave është vendosur që të gjitha hyrjet tokësore në Shqipëri nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia të mbyllen për të gjithë udhëtarët me autobus, mikrobus apo veturë, ndërsa kufiri tokësor do të qëndrojë i hapur për transportin e mallrave.

Gjithashtu është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar për pasagjerët, nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas, si dhe ndalimi i të gjitha fluturimeve për dhe nga Britania e Madhe.

Pjesë e masave të njoftuara më parë është edhe pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, me përjashtim të disa kategorive sipas orareve të përcaktuara, mbyllja e lokaleve dhe restoranteve në gjithë vendin dhe pezullimi i të gjitha aktiviteteve futbollistike, si dhe është kufizuar edhe lëvizja e qytetarëve.

Në gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.

Kujtojmë se pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në rreth 150 vende dhe territore, duke shkaktuar mijëra të vdekur. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button