Kërçovë, virusi korona, Ilmi Mehmedi: Edhe pse jam në pension, shkoj ndihmoj sepse ka panik të panevojshëm

Unë jam në pension por sidoqoftë shkoj e ndihmoj, bazuar në përvojën time shumëvjeçare si mjek në repartin infektiv ju them njerëzve që të mos bëjnë panik sepse nuk ka hapësirë për një gjë të tillë, e vetmja arsye pse situata ka arritur deri këtu është sepse ky virus është i ri theksoi mjeku Ilmi Mehmedi. Kurse drejtori i Spitalit të Kërçovës thotë që dita e ditës spitali po përgatitet për çfarëdo situate, njofton Portalb.mk.

Mjeku Ilmi Mehmedi u shpreh optimist se kjo situatë do të kaloje, ai bën thirrje deri te populli që të mos përhapin panik sepse siç tha ai, e vetmja arsye pse situata ka arritur deri këtu është për shkak se ky virus është i ri dhe i panjohur për botën e jo sepse është shumë i rrezikshëm.

“Unë jam në pension, mirëpo shkoj në departamentin për sëmundje infektive për të ju ndihmuar kolegëve sepse shoh një panik të panevojshëm te populli. Deri në këto momente nuk ka fluks të madh të njerëzve që vijnë për kontrolle në repartin tonë. E përsëris përsëri, nuk ka hapësirë për panik por është e nevojshme që njerëzit të jenë të informuar për simptomat, pra në qoftë se kanë temperaturë mbi 38, anamnezë apo kanë pasur kontakt me persona që kanë ardhur nga vende që janë në zonën e kuqe duhet të kontrollohen patjetër. I vetmi problem me këtë virus është që është i ri, dhe i panjohur si për popullin ashtu edhe mjekësinë deri në këto momente. Andaj kujdes duhet por jo panik, sepse jo çdo ftohje është korona virus, të mos harrojmë se jemi në periudhën e gripit sezonal” tha mjeku Ilmi Mehmedi.

Xhabir Bajrami, drejtori i Spitalit të Kërçovës u shpreh optimist që ky spital është i gatshëm të përballet me virusin korona, ai njoftoi që për këtë arsye sot kanë marrë edhe një objekt me dy dhoma ku do të mbahen pacientët për 48 orë deri sa të ju bëhen analizat e nevojshme.

“Gjendja në territorin e Komunës së Kërçovës deri në këto momente është stabile, këtë e them për shkak se zyrtarisht nuk kemi asnjë person të infektuar me virusin korona. Ne si spital vazhdimisht jemi duke e përcjell situatën dhe kemi marrë masa të posaçme për të luftuar këtë. Nuk kemi aparate respiratori, në qoftë se ndonjë pacient do të ketë nevojë i njëjti do të transferohet në Shkup. Sot kemi arrit të marim një objekt me dy dhoma ku edhe do të mbahen pacientët për 48 orë deri sa të ju dalin rezultatet” tha drejtori i Spitalit të Kërçovës, Xhabir Bajrami për Portalb.mk.

Ndryshe, deri në këto momente të testuar pozitiv me virusin korona në Maqedoninë e Veriut janë gjithsej 26 persona edhe atë 20 prej tyre nga Dibra kurse 6 nga Shkupi. Me qëllim që ky numër të mos rritet, sot presidenti Pendarovski zhvilloi takim me liderët e të gjitha partive politike ku u vendos shtyrja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për një datë të pacaktuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button