Gostivar, virusi korona, Memeti: Në spital vijnë me shenja frike jo virusi, andaj të mos përhapet panik

Gjendja në Gostivar deri në këto momente është stabile dhe zyrtarisht nuk ka persona të prekur me Virusin korona, kështu tha mjeku infektolog Enes Memeti nga Spitali i Gostivarit i cili bën thirrje deri te qytetarët të mos bëjnë panik dhe për simptoma të gripit, të kontrollohen te mjeku amë kurse te departamenti infektiv vetëm ata me simptoma të virusit Korona. Drejtori Jakup Jakupi, për Portalb.mk tha që Spitali i Gostivarit nuk posedon aparate respiratore, dhe në rast nevoje ata pacient do të dërgohen në Shkup, njofton Portalb.mk.

Sipas mjekut të departamentit infektiv të Spitalit të Gostivarit pacientët duhet të kenë kujdes mirëpo aspak frikë, sepse siç thotë ai, të gjithë personat të kontrolluar deri në këto momente nuk kanë as simptoma gripi e as të virusit, por të frikës dhe ankthit.

“Deri në këto momente në territorin e Komunës së Gostivarit gjendja është stabile, nuk ka asnjë të prekur nga virusi korona, të paktën jo zyrtarisht. Mirëpo vërehet një frikë te njerëzit, të gjithë pacientët, e që janë shumë, që kanë ardhur te departamenti infektiv kanë rezultuar me shenja frike dhe ankthi por në asnjë moment të virusit korona. Kjo pandemi e ka përfshirë një pjesë të madhe të botës, andaj duhet të jemi të kujdesshëm por jo të bëjmë panik. Reparti jonë në Gostivar është i gatshëm për çfarëdo situate” tha mjeku Enes Memeti për Portalb.mk.

Në lidhje me aparatet respiratore, drejtori i Spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi për Portalb.mk tha që ky spital momentalisht nuk posedon aparate të tilla. Mirëpo, siç thotë ai, kjo nuk përbën ndonjë problem për shkak se personat që do të kenë nevojë për diçka të tillë, do të transferohen në Shkup.

“Spitali i Gostivarit është i përgatitur në mënyrë absolute për çfarëdo situate, ne jemi vazhdimisht në koordinim me ekipin i cili merret specifikisht me rastet e virusit korona në mënyrë që të jemi sa më të informuar. Gjendja deri në këto momente është e qetë dhe nuk ka panik, personat të cilët dje u testuan nga Gostivari sot dolën negativ. Aparate respiratore nuk kemi, mirëpo pacienti i cili do të ketë nevojë eventualisht për një gjë të tillë do të transferohet në Shkup dhe kjo nuk përbën aspak problem”  theksoi drejtori i Spitalit të Gostivarit, Jakup Jakupi.

Ndërkaq, këto janë masat të cilat i ka ndërmarrë Komuna e Gostivarit për parandalimin e Virusit korona.

Ndryshe, deri në këto momente të testuar pozitiv me virusin korona në Maqedoninë e Veriut janë gjithsej 26 persona edhe atë 20 prej tyre nga Dibra kurse 6 nga Shkupi. Me qëllim që ky numër të mos rritet, sot presidenti Pendarovski zhvilloi takim me liderët e të gjitha partive politike ku u vendos shtyrja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për një datë të pacaktuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button