Mexhiti vendosi llamba të reja në Çair

Kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti sot ka prezantuar projektin me vlerë prej 1 milion eurove për sistemin modern komunal të ndriçimit publik, të ndërtuar me masa për efikasitet të energjisë.

“Kemi zëvendësuar dhe instaluar gjithsej 2000 poçe elektrike,  duke instaluar kështu një sistem modern të ndriçimit publik, dhe kemi mbuluar gjithë rrugët që janë në kompetencën tonë. Ky është një trend evropian, të cilit nuk i ik as komuna e Çairit, por përkundrazi jemi në hap me metropolet evropiane, investimi prej 1 milion euro është zbatuar nga partneri privat, pa mjete të qytetarëve, pra buxheti nuk është prekur fare. Qytetarët e Çairit tanimë kanë ku të drejtohen 24 orë në ditë, nëse paraqitet ndonjë defekt në ndriçimin rrugor”, tha Mexhiti.

Projekti është realizuar me bashkëpunim privato-publik, ka kushtuar 1 milion euro, është finansuar nga koncesionuesi privat ndërsa punimet i ka zbatuar kompania KMG Kvazar.
“Defektet qytetarët do të  mund ti lajmërojnë në tre mënyra: duke u lajmëruar në call qendrën në ambientet e komunës, duke dërguar sms apo e-mail” tha Mexhiti. 

Në këtë prezantim i pranishëm ishte dhe ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini i cili apeloi te komunat tjera ta ndjekin shembullin e komunës së Çairit.

“Sot jemi dëshmitar të realizimit të njërit prej projekte për racionalizimin e konsumit të energjisë elektrike, në kushte kur çmimet e energjisë vetëm rriten, projekti i Komunës së Çairit për modernizimin e sistemit të ndriçimit publik, përmes zëvendësimit të ndriçueseve ekzistuese me ndriçuese LED, do të ul konsumin e energjisë elektrike deri minimum 60%”, deklaroi ministri Saraçini. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button