SHBA, 11-vjeçari me pistoletë në klasë

Një fëmijë amerikan, i moshës 11 vjeç, i ka vendosur pistoletën në kokë njërës prej shoqeve të klasës, pasi është inkurajuar nga prindërit të shkonte në shkollë i armatosur. 

Prindërit kanë marrë shkas nga masakra e ndodhur vetëm pak ditë më parë në shkollën fillore Sandy Hook në Newtown të Connecticut-it, ku mbetën të vdekur 27 persona, 20 prej të cilëve fëmijë të moshës 6-7-vjeçare.

Arma ishte bosh, por municionet u gjetën në çantën e shkollës së djaloshit, pas kontrolleve të menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur në shkollën fillore West Kearns, pranë qytetit Salt Lake, në Utah.

Djaloshi u arrestua dhe është dërguar në një qendër paraburgimi për të mitur.

Ngjarja e pak ditëve më parë në Connecticut ka nxitur debate në SHBA në lidhje me ndalimin e përdorimit të armëve nga kushdo, teksa disa persona kanë protestuar në Washington DC, përpara zyrave të shoqatës kombëtare të armëve.

Ndërkohë, të angazhuar janë edhe politikanët për vendosjen e një ligji parandalues dhe kontrollues të rreptë ndaj përdoruesve të armëve, për të cilin presidenti Barack Obama ka dhënë mbështetjen e tij. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button