Çevërjakovi dhe nëpunësi ynë

Kur eprorët e padukshëm e të  rehatuar në kolltuqe të kuqe prej lëkure heshtin e në vend të tyre nëpunësit me epoleta të imta partiake e marrin guximin ta ngrenë zërin e ngjirur, të thonë diçka, sa për të thënë, sepse shefat s’kanë çka të thonë, ose s’dinë çka t’u thonë atyre që u kanë premtuar edhe tamël zogu për t’ua marrë votën, del në shesh se e ardhmja e fëmijëve tonë është e luhatshme. Në këso rastesh populli ynë do të kishte thënë: “Prit magar…” .

Dëgjohet, thashë, ndonjëherë zëri nëpunësor para  miletit që ka mbetur “pranë sofrës i pangrënë, pranë dijes i panxënë” e që tash ballafaqohet me një rrezik të paparë para të cilit bota e mbarë është mbështetur për muri – me virusin korona. Situatës së rëndë i jep ngjyrë politike e partiake. Ka një melankoli në zërin e nëpunësit tonë, si te nëpunësi  Ivan Dimitriç Çevërjakov i tregimit “Vdekja e nëpunësit” i shkrimtarit të mrekullueshëm A. P. Çehov.

Çevërjakovi, i ulur në rreshtin e dytë,  krejt rastësisht teshtin në një shfaqje dhe e stërpik, pa dashur fare, eprorin, i cili, po ashtu rastësisht, qëllon në karrikën e rreshtit të parë të sallës, mu para nëpunësit të gjorë. ”Nuk është eprori im, po megjithatë është e pahieshme. Duhet t’i kërkoj falje”… mendon Çevërjakovi kur e sheh se e ka stërpikur një epror. Dhe, nis odisejada e tij e të kërkuarit falje çdo ditë të zotit eprorit, i cili s’i ka dhënë ndonjë rëndësi punës së teshtimës dhe të cilit i duket se nëpunësi tallet, prandaj vazhdimisht e refuzon kërkesën e tij për falje.

Kjo është arsyeja që nëpunësi i imtë pas pak ditësh vdes nga pikëllimi. Vdes pse “e ka hidhëruar” eprorin e tij. Ka  një tragjikë të përbashkët të nëpunësit tonë me epoleta partiake me Çevërjakovin. Është poltronizmi veti e përbashkët e tyre, për shkak se edhe nëpunësi ynë, edhe Çevërjakovi shkojnë gjunjaz para eprorëve. Mirëpo ka edhe dallime të mëdha. Duhet  të theksojmë se melankolia e Çevërjakovit është një melankoli agitans, ndërsa melakolia e nëpunësit tonë është e tipit melankoli hipohondrika.

Nëpunësi i Çehovit nuk merret me punët e eprorëve, po e ka hallin e vet, sepse është i vetëdijshëm për takatin që ka, e di ku e ka vendin. Krejt tjetër është nëpunësi ynë. Ambiciet e këtij, tonit, janë shumë më të mëdha. Ky as pa ditur mirë të lexojë, don të merret me punë të mëdha. Ky yni e kalon jetën në prita. Dhe, është zanapritë i paparë. Përdor shumë marifete bizantine dhe anadollake për t’ia vënë ndërkëmbëzën mikut a eprorit për hesap të vetin. E jo vetëm eprorit. E provon vogëlsia e tij prej nëpunësi  mos po e siguron gjahun e pritës që do të ishte jo më pak se një kolltuk i  kuq.  Ka dëshirë ky nëpunës të dalë mbi lartësitë e pozitës së tij të ulët, pa i menduar pasojat. Do ai të dalë nga korniza e mundësisë së vet pa derdhur një pikë djerse, paçka se pësojnë të tjerët dhe paçka se dëmi është i madh. Do pak t’i përziejë gishtat në politikë, nja dy a tri vjet e pastaj hop të përfundojë si biznesmen. Kjo e shtyn  t’ia fusë ashtu kot “me ligj e pa ligj“ për të dalë atje ku ia ka mësyer.

Është edhe një dallim midis Çevërjakovit dhe nëpunësit tonë. Çevërjakovi e bën “udhëtimin” në shtegun e tij personal. Vetë. Çevërjakovi ka përgjegjësi. Ndërkaq nëpunësi ynë e kërkon, e pret dhe e keqpërdor dorën e strukturave partiake.

Më e keqja është se edhe këtë situatë krize që e shkaktoi pandemia, edhe këtë dramë njerëzore nëpunësi ynë me epoleta partiake mundohet ta përdorë për politikë të ulët që do t’i siguronin vota.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button