Kuçi: As dy dhoma, as autonomi, as shuarje të FSK-së

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, u është përgjigjur deklarimeve në mediat serbe se platforma e Serbisë për Kosovën përmban një autonomi për veriun e Mitrovicës, duke thënë se ato propozime i bëjnë krerët politikë në Serbi sa për konsum të brendshëm, megjithatë ato ndikojnë negativisht në dialogun që po zhvillohet në mes të të dyja vendeve.

Kuçi ka thënë se veriu i Mitrovicës është pjesë e Republikës së Kosovës dhe atje do të zbatohet Pakoja e Ahtisaarit, të cilën, siç raporton rtk, ai e quajti kompromis të dhimbshëm të Kosovës.

“Ai është propozim i tyre i cili mund të jetë për konsum të brendshëm, i cili nuk ndikon mirë as në raport me dialogun, i cili mund të jetë iluzion. Pjesa e veriut është pjesë e Kosovës. Do të implementohet Pakoja e Ahtisaarit, që është kompromis i yni i dhimbshëm dhe nuk mund të ketë ballance tjera as etnike, as të të drejtave të komuniteteve, apo balance të ushtrimit gjeografik të sovranitetit. Serbia duhet të ketë kujdes që konsumi i brendshëm të mos i prishë raportet me të tjerët dhe unë besoj se ajo duhet ta marrë përgjigjen adekuate nga BE-ja”, ka thënë ai.

Serbia ia ka prezantuar planin e saj për Kosovën Baroneshës Catherine Ashton. Në këtë dokument, që ende është sekret shtetëror, autoritetet serbe ndërhyjnë në rendin kushtetues të vendit tonë. Aty zotohen se nuk do ta njohin kurrë pavarësinë, kërkojnë që Parlamenti i Kosovës t’i ketë dy dhoma, insistojnë në autonomi territoriale për veriun dhe shuarjen e FSK-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button