Femrat, nën hijen e rëndë të “traditës mashkullore”

Mbetet i ulët përfaqësimi i femrave në nivel të bashkësive lokale. Mes kryetarëve aktual në 85 komuna nuk ka asnjë kryetare nga gjinia femërore.

Nuk është për tu habitur nëse një gjë e tillë ndodh edhe në mandatin e ardhshëm, duka pasur parasysh skepticizmin e partive politike për sa i përket kandidimit të femrave për kryetar komunash. 

Për rritjen e përfaqësimit të femrave mes kryetarëve të komunave është nënshkruar edhe një deklaratë mes mbi 100 organizatave joqeveritare. Enisa Murseli nga OJQ “Shpresa” – thotë se shkaku kryesor pse ekziston ky skepticizëm te partitë është mentaliteti dhe tradita ballkanase.

“Tradita dhe kultura jonë ballkanike kryesisht ndikon në pjesëmarrjen e femrave në pozitat vendimmarrëse. Kështu që tani organizatat dhe lëvizjet kryesore të shoqërisë civile këtu në Maqedoni kanë bërë rrjetin e tyre për mbështjetjen dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë. Me këtë synohet ngritja e vetëdijes te partitë politike që ta zhvillojnë 30% e premtuar, sepse në zgjedhjet lokale të vitit 2009 ishin vetëm 14 femra kandidate për kryetar komunash, nga 348 kandidatët. Kjo është vetëm 3% e jo 30%, siç është premtuar” – tha Enisa Murseli.
Ndër femrat funksionare të cilat më së shumti kanë ngritur zërin për këtë çështje është edhe deputetja e DOM Liljana Popovska. Sipas saj, partitë duhet të marrin guximin dhe të promovojnë kandidate femra.

“Nga tetë kandidaturat, ne ofruam tre femra për kryetare komunash. Besoj se partitë në moment të fundit do të dalin së paku me një femër kandidate. Te partitë nuk ka ndonjë rezistencë që të ketë femër kandidate, por mendoj se vonë filluan me promovimin e femrave si bartëse të atyre funksioneve, që rrethi dhe opinion të ketë kohë që ti njofton, ndërsa partitë të mos kenë frikë që nuk do të kalojnë” – deklaroi Popovska.

Nga BDI thonë se kandidatët do të zgjidhen në bazë të përgatitjeve profesionale si dhe rejtingut që kanë në opinion dhe jo në bazë të gjinisë. Deri tani kjo parti nuk ka nominuar kandidatët, por sipas të gjitha mundësive, femra e vetme në kombinim për kandidate në zgjedhjet e ardhshme lokale është Teuta Arifi, për Komunën e Tetovës.

Qëndrim të ngjashëm mban edhe PDSH. Partia e Menduh Thaçit tani më ka promovuar një kandidate femër. Bëhet fjalë për Desdemona Dauti, kandidate e PDSH-së për Komunën e Ohrit, të cilën pothuaj se nuk ka gjasa ta fiton një kandidat shqiptar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button