Sondazhi i IRI-t në RMV: Rritje e shqetësimit për ekonominë dhe ulje e shpresave për pranim në BE

Sondazhi i ri për Maqedoninë i realizuar në nivel kombëtar nga Qendra për hulumtime anketuese të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) zbulon rënie të besimit se vendi do të sigurojë anëtarësimin e Bashkimit Evropian (BE) në të ardhmen e afërt, si dhe rritje të shqetësimeve ekonomike. Këto gjetje vijnë një muaj para zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut dhe pas dështimit të BE-së për të rënë dakord që të fillojë negociatat për aderim me vendin në vitin 2019, njofton Portalb.mk.

“Shtyrja e fillimit të bisedimeve për pranim në BE i ka dekurajuar shpresat e publikut në Maqedoni për anëtarësimin në të ardhmen”, tha Pol MekKarti, drejtor rajonal i IRI për Evropën. “Qytetarët tani po kthejnë vëmendjen e tyre kah çështjet e brendshme, duke përmendur çështjet ekonomike si problemet më të rëndësishme me të cilat përballet sot Maqedonia e Veriut.”

Ndonëse 80 përqind e qytetarëve e mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në BE, vetëm 28 përqind besojnë se vendi i tyre do të anëtarësohet në BE brenda pesë viteve të ardhshme – që është rënie prej shtatë përqind nga sondazhi i fundit i IRI në korrik 2018.

Gjithashtu, përqindja e të anketuarve që besojnë se integrimi në BE do të zgjasë më shumë se dhjetë vjet është rritur për shtatë përqind. Të anketuarit i kanë përmendur gjithashtu “Integrimin në BE” si çështjen kryesore për të cilën politikanët “flasin tepër”.

Për shkak të gjasave të vonimit të integrimit në BE, publiku ka filluar ta kthejë fokusin kah ekonomia: 52 përqind e të anketuarve besojnë se çështjet që kanë të bëjnë me ekonominë (papunësia, gjendja ekonomike, varfëria, pensionet e ulëta ose mospagimi i pensioneve) janë problemet më të rëndësishme me të cilat përballet Maqedonia e Veriut sot. Megjithatë, qytetarët nuk i konsiderojnë politikanët i ndajnë prioritetet e tyre: 59 përqind e qytetarëve janë dakord që politikanët duhet të flasin më shumë për këto çështje ekonomike.

Këto shqetësime ekonomike mund të kontribuojnë për një ndjenjë të përgjithshme të pesimizmit për trajektoren e vendit. Shtatëdhjetë e shtatë përqind e të anketuarve besojnë se gjenerata e sotme e të rinjve nuk ka një të ardhme të mirë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa 50 përqind e të anketuarve thanë që një anëtar i familjes ka emigruar viteve të fundit. “Dështimi i qeverive të njëpasnjëshme për të zgjidhur këto çështje mbase ka kontribuar për perspektivën negative ekonomik të publikut dhe rritjen e imigracionit,” ka shtuar MekKarti.

Rejtingjet e partive

Më 12 prill, Maqedonia e Veriut do të zhvillojë zgjedhje parlamentare, me ç’rast rreth tre të katërtat e qytetarëve ka “shumë” gjasa ose ka “deri diku” gjasa për të votuar. Ndërkohë që shumica e popullsisë në Maqedoni beson se asnjë parti politike nuk është e gatshme më së miri për të arritur rritje ekonomike, LSDM (18 përqind) dhe VMRO-DPMNE (17 përqind) e ndajnë udhëheqjen midis të anketuarve të cilët kanë emërtuar një parti që ata supozojnë që do ta ristrukturon ekonominë. Në përgjithësi, gjetjet tregojnë se LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE janë në të njëjtin nivel dhe para të gjitha partive tjera në prag të zgjedhjeve të muajit të ardhshëm.

Në pyetjen se për cilën parti do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin javën e ardhshme, 17 përqind e votuesve e kanë identifikuar LSDM-në, ndërsa 16 përqind e kanë zgjedhur VMRO-DPMNE.

Hulumtimi u realizuar në emër të nga Qendra për hulumtime anketuese të IRI-t nga Brima, firmë për hulumtime të tregut, nga 30 janari deri më 10 shkurt të vitit 2020. Të dhënat janë mbledhur duke përdorur metodën e mostrës së shtresuar, më shumë nivelesh, të rastit, përmes intervistave ballë për ballë në shtëpinë e të anketuarit. Mostra përbëhet nga 1.222 persona të anketuar të moshës 18 vjeç e më të vjetër. Të dhënat janë vlerësuar sipas moshës, gjinisë, rajonit dhe përkatësisë etnike. Margjina e gabimit ishte plus ose minus 2.8 përqind në kufij të besimit 95 përqind. Shkalla e jehonës ishte 73 përqind. Ky sondazh u implementua me mbështetjen e Institutit Republikan Ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button