fbpx

Zgjedhjet u anuluan, Zaevi kërkon gjendje të jashtëzakonshme, Mickoski gjendje krize: Shëndeti para të gjithave

Partitë në Maqedoninë e Veriut njëzëri vendosën që t’i anulojnë zgjedhjet për shkak të gjendjes me virusin korona, njofton Portalb.mk.

Deklarata e Zaevit

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, takim liderësh, ecje, zgjedhje parlamentare, Vila Vodno
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev

Pas mbarimit të takimit të liderëve në Presidencë, lideri i partisë në pushtet, LSDM, Zoran Zaev, deklaroi se zgjedhjet janë anuluar në periudhë të pacaktuar ndërkaq kërkoi që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në shtet duke e pasur parasysh gjendjen me virusin korona në vend.

“E shpreha qëndrimin se nuk ka kushte për zbatimin e zgjedhjeve dhe të gjitha kapacitetet tona t’i vendosim në funksion të mbrojtjes së shëndetit. Njëkohësisht i dhashë të drejtë presidentit Pendarovski të thirr grup ekspertësh dhe të gjejë modalitete juridike-morale për anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen pastaj përsëri. Besoj se konsensusi i arritur nga të gjitha është porosi serioze deri te të gjithë. Besoj se do të gjenden formulime juridike. Besoj se institucionet do të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në shtet”, tha Zaev.

Deklarata e Mickoskit

3 Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, Igor Janushev, zgjedhje, takim liderësh, Vila Vodno
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski pas takimit të sotëm në vilën presidenciale tha se për herë të parë të gjithë liderët njëzëri janë pajtuar se shëndeti i qytetarëve është para të gjithave.

“Njëzëri kemi marrë vendim se patjetër të ketë anulim të zgjedhjeve. Qëndrimi ynë është që të respektohet kushtetuta, a më pas të respektohen ligjet. Ka pasur propozim që të thirret Kuvendi, si ndonjëherë në të kaluarën, por ajo nuk është e njëjtë tani. Sipas nesh, është e nevojshme që pas takimit të liderëve të formohet ekip i ekspertëve i cili do të gjejë bazë juridike se si këto zgjedhje të anulohen dhe më pas të caktohen”, tha Mickoski.

Ai tha se kërkon gjendje krize për 30 ditë në shtet, por jo edhe gjendje të jashtëzakonshme, pasi që nuk ka mundësi ligjore për diçka të tillë.

Mickoski tha se për momentin nuk do të kritikojë, atë do ta bëjë pasi që të kalojë kjo situatë e rëndë në Maqedoni.

Deklarata e Osmanit

Bujar Osmani
Bujar Osmani

Pas takimit të liderëve, përfaqësuesi i BDI-së, Bujar Osmani tha se me kryetarët e partive dhe kryetarin e shtetit, janë marrë vesh që të anulohen zgjedhjet në interes të shëndetit të qytetarëve.

“Konstatim i përbashkët është që të anulohen zgjedhjet. Ai është qëndrim i BDI-së. Shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm në këtë situatë. Kemi arritur konsensus për vendimin e anulimit të zgjedhjeve. Ne duam ta fitojmë virusin dhe jo zgjedhjet”, tha Osmani.

Deklarata e Selës

4 Lideri i ASH-së, Ziadin Sela, Bujare Abazi, takim liderësh, Aleanca për Shqiptarët, Vila Vodno, zgjedhje, gra, përfaqësim i gruas
Lideri i ASH-së, Ziadin Sela

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pas mbarimit të takimit tha se puna kryesore e politikës është siguria e qytetarëve dhe pa siguri të qytetarëve nuk ka shëndet, andaj e përkrahin anulimin e zgjedhjeve.

“Tani duhet që grupi i ekspertëve të gjejnë modalitete se si të vihet deri te anulimi i zgjedhjeve, a më pas partitë të merren vesh edhe për datë tjetër të zgjedhjeve. I bëj apel Qeverisë që të fokusohet në furnizimin me ushqim dhe gjithçka që është e nevojshme për dy qytetarët në dy vatrat virusit Dibër dhe Qendër Zhupë, ku ka edhe qytetarë që nuk janë të infektuar”, tha Sela.

Deklarata e Kasamit

2 Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, Kastriot Rexhepi, Elmedin Memishi, takim liderësh, Vila Vodno, zgjedhje
Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami

Lideri i Lëvizjes BESA, BIlall Kasami, pas mbarimit të takimit te presidenti, kërkoi që të gjendet zgjidhje për anulimin e afateve për zgjedhjet dhe të përballemi me këtë gjendje,

“Nuk ka caktim për datë pasi që bëhet fjalë për situatë të komplikuar kur nuk e dimë se në cilën fazë është zgjerimi. Kemi vendosur që t’i anulojmë zgjedhjet dhe datën ta caktojmë kur të ketë kushte. Ne si Lëvizje BESA jemi të gëzuar që edhe partitë tjera janë pajtuar me këtë qëndrim se shëndeti i qytetarëve është para të gjithave”, tha Kasami.

Deklarata e Ibrahimit

Orhan Ibrahimi
Orhan Ibrahimi

Partia Demokratike Shqiptare sot e ka lëshuar takimin që e ka thirrur presidenti Pendarovski. Në deklaratë për media, Orhan Ibrahimi tha se kanë dalë nga takimi pasi që dy partitë maqedonase kanë marrë vendim paraprakisht.

“Sot jemi të pranishëm në këtë takim për shkak të gjendjes së re serioze me virusim dhe propozojmë që sa më shpejtë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. E lëshuam takimin pasi që mendojmë se si parti politike jemi vetëm dekor në këto institucione dhe në këtë vend, pasi që vendimet prej përpara janë marrë prej dy partive maqedonase”, tha Ibrahimi.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në konferencë për shtyp njoftoi se deri në orën 12 ka të regjistruar 26 raste, prej të cilëve sot në mëngjes janë testuar 10, ndërkaq dy prej tyre janë pozitiv.

Filipçe vazhdimisht apelon që të respektohen të gjitha masat e Qeverisë që sa më lehtë të përballemi me virusin.

Filipçe apeloi që të ketë vetëorganizim në markete me qëllim që të mos bëhen rrëmuja.

Apeli i ministrit erdhi pasi që në ditët e kaluara ka blerje masive nëpër markete, nga frika e harxhimit të produkteve.

Në takimin e sotëm të ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi me pronarët e marketeve, u tha se ushqim dhe produkte ushqimore ka edhe në markete, por edhe në magazinat e furnizuesve, qytetarët të mos bëjnë panik.

“Dua që si ministër i Ekonomisë t’i ftoj qytetarët që me arsyeshmëri të blejnë, a marketet të bëjnë plane që t’u dalin në ndihmë qytetarëve. Vend për panik nuk ka, mallra të domosdoshme ushqimore ka”, tha Bekteshi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbrëmë ka miratuar vendim për ngrirje të çmimeve për produktet: bukë, krip, vaj, qumësht dhe prodhime qumështore, vezë, miell, mish, pasta, barna dhe mjete dezinfektuese, përveç atyre që kanë dëshmi se janë rritur faturat e hyra.

Në seancën qeveritare u miratua edhe informata me të cilën u propozua ndalesa për eksportim të grurit dhe miellit nga gruri në të gjitha vendet për kohë të pacaktuar. Ministria e Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Drejtoria Doganore duhet t’i ndërmarrin të gjitha aktivitetet e domosdoshme me qëllim që të zbatohen këto masa.

Paraprakisht, Ministria e Shëndetësisë informoi se se pacientja e parë e infektuar me virusin korona, sot është lëshuar në mjekim shtëpiak, pasi që testimet kanë dalë negative.

“Ajo është testuar për të dytën herë pas diagnostifikimit të virusit, testet e saja janë negative ndaj virusit korona dhe ajo ndihet mirë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close