TERRORIALIZËM ATOPIK

Të shkruash në kohë të jashtëzakonshme. Në kushte të papara në këto afër pesë dekada të jetës tonë. Në rrethana kur të gjithë jemi të mbyllur, në karantinë, të detyruar, të vetëizoluar. Kur takti i jetës ka ndryshuar tërësisht, kur i jemi kthyer shtëpisë dhe familjes, pas prezencës tonë formale. “Pas 42 vitesh martesë për herë të parë kafe me gruan”- u shpreh këtyre ditëve një artist paksa me ekzagjerim.

Rrugët boshe, universitetet e shkollat e zbrazëta, kafenetë, kufijt e mbyllur. Gjithçka në kyç. Qytete fantazmë. Qabeja pa besimtarë, mesha e Papës pa njerëz. Përshëndetja nga distanca, kollitja me droje qoftë edhe aksidentale e pa grip. Laj duart pandërprerë, kolonjë. Marketet si në zgjua, si në kohë (para)lufte. 167893 të infektuar, 6458 të vdekur deri tani sipas Reuters. Shkaku: një virus misterioz që kërcënon çdokë, çdo individ, çdo shoqëri, çdo shtet. Kur standardi i jetesës dhe shtresa bëhen të pakuptimta. Të gjithë të barabartë: shitësi, shoferi, profesori, presidenti, milioneri. Panik, histeri planetare.

Lutjet multinacionale: Go Corona, go! (Ik korona, ik!) Një çështje apo problem shëndetësor që ka lënë pa tekst dijen, mjekësinë, shkencën, ekspertizën, progresin absolut që hyjnizonte njeriun dhe shkencën që prej pesë e më shumë shekujsh, si të gjithfuqishmit e epokës moderne. Moderniteti gjeneroi besimtarët laikë në idenë se njeriu duhet të mbizotërojë natyrën, se do të shndërrohet në sundues, sovran, në një zot, ndonëse s’ai gjeti ilaçin as tërmetit, as mplakjes e as vdekjes. Edhe rasti Covid-19 rrëzoi këtë tezë dhe na bindi se edhe njeriu edhe shkenca janë të kufizuar. Këtyre ditëve s’ndihmojnë as laboratorët as katedrat më të avancuara të të gjithë botës.

“Kurora” me prejardhje kineze na mësoi vogëlsinë tonë, të qenies tonë tepër të kufizuar, për vulnerabilitetin e racës humane. Covid-19 është një status frikës në palcë, i panikut nga i cili dalin mesazhe të shumta për të gjithë lidhur me raportin tonë me ekzistencën dhe vetveten.

Shprehur me fjalët e filozofit Sead Zimeri, e kemi eksploatuar natyrën saqë e kemi prishur balancin natyror të jetës dhe e kemi ekspozuar veten ndaj rreziqeve që as nuk e dimë se nga do vijnë. Dhe tani, periudha e Homo conncectus-it e bën të veten, të gjitha jemi të atakuar në katror: nga pandemia dhe nga mediat klasike dhe ato sociale që përhapin lajme nga më të ndryshmet që në vend se të vetëdijësojnë, rrisin dozën e tremës nga ky virus i kohës surreale, që plasojnë ide nga ato faktiket deri te teoritë e konspiracionit që fenomenin Covid 19 e amerikanizojnë, që shkruajnë për aparatin tekno-politik sekret, për armën biologjike, për fundin e botës, për Luftën e Tretë Botërore alternative, për virusin që “i rrok vetëm jobesimtarët”, e të tjera.

Kjo është bota jonë e re, e izolimit. Shekulli 21, kur diskursi medikal ka implikime ekstreme socio-kulturore. Kur edhe kombet më të përparuara janë në trans, kur edhe të kamurit me mijëra euro të ardhura i zbrazin raftet e ushqimit dhe sanitarive. Suedi, Norvegji, Zvicër. Gjithçka si në filmat kataklizmatikë, që e trajtojnë fundin e botës. Të gjithë para ekraneve dhe në internet, ndjekin rrjedhat e krizës më të veçantë të kohës. Një gjendje sociale dhe mentale tjetërfare. Një psikologji e veçantë. Të bren, s’të lë rehat. Nga njëra dhomë në tjetrën, në sallon, në bibliotekën shtëpiake, në bahçe, në rrugë ja del, ja jo se s’ke siguri. Bisedë me fëmijët, me familjen, vaktet e ditës, bukë. Lajme, lajme, lajme. Klaustrofobi. Vazhdimisht duke pyetur veten: vallë mos jam unë i radhës?  Problemi është si të mbetesh normal në kushte jonormale. Si ta ruash qetësinë, të ruhesh, të jesh i kujdesshëm pa bërë panik.

Kohë e terrorializmit. Ky i fundit, një term apo neologjizëm i shpikur nga profesori i Universitetit të Kaselit (Gjermani), praktikanti i marketingut, George Rossolatos (2020), këtyre ditëve kur kriza narrativizohet maksimalisht, kur duhet manaxhim i komunikimeve për të minimizuar panikun publik. Terrorializmi nënkupton sundimin e terrorit (reign of terror), terrorizimin e popullatës përmes pasigurisë ontologjike që e ofron globalizmi (Giddens 1991), përmes politikës së frikës dhe terrorit (Altheide, 2006) në epokën e likuiditetit maksimal (Bauman, 2000), të hiper-reales dhe hiper-hapësirës.  Përmes atakut që vjen nga atopia, hapësira e askundnajës, që s’ekziston…

Mikrokosmosi i atopisë është qyteti global, metropoli postmodern ku ndodh deformimi i skajshëm i hapësirë-kohës shoqërore (Gomell, 2014). Në vitin 2020 nuk ekziston “këtu”, gjithçka është ajër. Politika është shndërruar në biopolitikë në kuptimin e administrimit dhe rregullimit të jetës së thjeshtë (Zhizhek). E çuditshme, korona preku dy qendra të rëndësishme të ekonomisë botërore, Wuhanin e hiper-industrializuar dhe Milanon e modës mondiale. Korona, virus, pneumonia, alert (rrezik) dhe treshkronjëshja trishtuese OOS (out-of-stock) trishtojnë, kurse “Jiao you!” (Mbahu, mos u dorëzo!), “Add oil” janë sintagmat për inkurajim, për të ngjallur moralin, për të nxitur resetimin e planetit të ndrydhur.

Jetojmë me historinë dhe delirin global të ritualizimit të vdekjes publike  (Sumiala, 2014), të terror-centrizmit metanarrativ, kur tipologjizohemi në bazë të trendeve patologjike “(1) të prekur dhe të kuruar (të mbijetuar), (2) të prekur nën përkujdesje dhe (3) të prekur dhe të vdekur”. Është koha e smog-couture dhe stilizimit të vdekjes, e sulmit nga një terrorist i panjohur. Një gjë është pozitive në këtë klimë: njerëzimi është bërë tok, përkatësitë dhe identitetet bëhen terciare, kur edhe lutja zgjerohet. Pra kemi kaluar nga epoka e globalizmit në atë të terrorializmit kur atakuesi është atopik, s’ia dimë adresën, s’e dimë me çfarë origjine është kafshërore, njerëzore…  Tmerr. Zoti na ndihmoftë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button