Monstra: nesër të akuzuarit dalin para gjykatësit

Të enjten do të mbahet seanca e parë gjyqësore në Gjykatën Penale për rastin e Monstrës ku të akuzuar janë pesë persona për terrorizëm, gjegjësisht për vrasjen e pesëfishtë afër liqenit në Smillkovcë.

Edhe pse Prokuroria i referohet provave materiale , transkriptimet e bisedave telefonike, si dhe dëshminë e një dëshmitari të mbrojtur, avokati i të akuzuarve Naser Raufi për Portalb thotë se akuza nga ana e prokurorisë është e pa bazë , po ashtu edhe arrestimi. Ai madje tha se ka prova për të vërtetuar pafajësinë e tyre.

“Ne si palë mbrojtëse do të dëshmojmë dhe argumentojmë nga ana jonë se fizikisht nuk kanë pasur mundësi të jenë në vendin ku ka ndodhur vrasja. Pra kemi alibi të fortë për çdo të akuzuar se ata nuk janë fajtor për atë të cilën akuzohen”, tha Raufi.

Ai akuzoi se procesi është i montuar politikisht.

“Kam thënë edhe më parë dhe e përsëris se kjo e tëra është proces i montuar dhe nëse gjithçka shkon në rregull, nëse procesi gjyqësor udhëhiqet me drejtësi, duke e pas parasysh se do ketë monitoring , besoj se kjo do mbarojë me lirimin e të akuzuarve”, tha Naser Raufi.

“Motivet e arrestimeve u përzien deri tani , njëherë arrestuan persona pa asnjëfarë ideje më pas i liruan ata e kështu me radhë, dhe kjo dëshmon se nuk kanë bazë në atë të cilën akuzojnë. Njëherë akuzuan për islamizëm radikal, njëherë për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovcit”, shtoi ai.

Disa ditë më parë Ministri i drejtësisë Blerim Bexheti , kur foli në lidhje me gjykimin e rastit të Monstrës  tha se në Republikën e Maqedonisë Gjykatat duhet që në bazë të drejtësisë kur do të shqyrtojnë të gjitha faktet në suaza të ligjeve dhe kushtetutës që mbi të gjitha drejtësia të jetë mbi tavolinë.

Gjashtë persona nga rasti “Monstra” janë të akuzuar për terrorizëm, ndërsa do t’u gjykohet Alil Demirit dhe Afrim Ismailovit të cilët ende janë në arrati, Agim Ismailoviçit, Fejzi Azirit dhe Rami Sejdit. I akuzuari i gjashtë është Haki Haziri, i cili është akuzuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale terrorizëm./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button