Shqipëri, shkoi në 42 numri i rasteve me koronavirus

Në Shqipëri është rritur në 42 numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), me konfirmimin edhe të katër rasteve të reja, sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, deri tani janë testuar qindra raste, ndërsa në mesin e të infektuarve të fundit janë edhe dy mjekë.

Në njoftimin e këtij institucioni theksohet se në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) në bashkëpunim me epidemiologët e njësive vendore të kujdesit shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara me COVID-19.

“Janë testuar 27 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar katër raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 532 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 42 raste”, thuhet në njoftim.

Nga rastet e konfirmuara pozitiv 26 janë në Tiranë, nga pesë në Durrës (njëra ka ndërruar jetë) dhe Fier, dhe nga dy raste në Lushnje, Elbasan dhe Rrogozhinë.

Kujtojmë se një 73-vjeçare humbi jetën më 11 mars në Shqipëri, e cila ishte e konfirmuar si paciente e prekur me koronavirusin e ri, duke shënuar viktimën e parë në vend nga COVID-19.

– Masat kundër përhapjes së koronavirusit në Shqipëri

Në kuadër të masave është vendosur që nga sot, të gjitha hyrjet tokësore në Shqipëri nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia të mbyllen për të gjithë udhëtarët me autobus, mikrobus apo veturë, ndërsa kufiri tokësor i Shqipërisë do të qëndrojë i hapur vetëm për transportin e mallrave.

Në kudër të masave, më herët është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas, ndërsa ky vendim prek vetëm transportin e pasagjerëve, pasi do të vijojnë lundrimet e anijeve tregtare dhe fluturimet e avionëve të mallrave.

Pjesë e masave të njoftuara më parë është edhe pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, mbyllja e lokaleve dhe restoranteve në gjithë vendin dhe pezullimi i të gjitha aktiviteteve futbollistike, si dhe është ndaluar edhe frekuentimi nga qytetarët i disa ambienteve publike.

Në gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.

Kujtojmë se pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në rreth 150 vende dhe territore, duke shkaktuar mijëra të vdekur. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button