RMV, shtatë personat janë negativ në testin për koronën, nga Tetova, Kumanova, Koçani, Kërçova dhe Ohri (VIDEO)

17.15 – Ministria e Shëndetësisë bëri me dije përmes një kumtese për mediat se 7 personat që u testuan sot janë negativ në virusin korona, transmeton Portalb.mk.

“Sot u testuan pacientët nga Kumanova, Tetova, Kërçova, Ohri, dy shtatëzëna nga Dibra, dhe një pacient nga Koçani, mostra e së cilit erdhi nga Spitali i Shtipit. Testet janë negative.” kumtojnë nga ministria, transmeton Portalb.mk.

“Edhe testi i personit nga Koçani është negativ, por për shkak të simptomave tipike të virusit, ai u përsërit” kumtojnë nga ministria, transmeton Portalb.mk.

********************************

Venko Filipçe, ministri i Shëndetësisë në RMV në konferencën për media në ora 13.30 raportoi se testohen 7 persona të tjerë për virusin korona, transmeton Portalb.mk. Ata janë nga: Shtipi, Tetova, Kumanova, Kërçova dhe Ohri.

“Personat nga Tetova, Kumanova, Kërçova dhe Shtipi kanë qenë në Zvicër, Gjermani dhe Austri. Pas disa ditëve që janë kthyer kanë temperaturë të lartë dhe tani janë në izolim. Gjatë ditës do të kemi rezultatet. Nga Ohri kemi dy gra shtatëzëna dhe një person tjetër, ata janë sjellë nga Dibra dhe njëra është në Shkup, tjetra në Ohër, janë në gjendje stabile dhe janë në izolim” tha Filipçe.

Ai tha se gjithë 13 pacientët që janë në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup janë në gjendje stabile.

“Vetëm pacientja e parë nga Dibra, që ishte me burrin e saj, ende mbetet në aparate respiratore. Të tjerët janë mirë.” tha Filipçe.

Në Maqedoni tani për tani numri i të infektuarve me virusin është 18. Rikujtojmë se njëra është shëruar dhe ajo më nuk llogaritet në numrin e pëgjitshëm të të infektuarve.

Informoi se në shtet ka rreth 120 makina respiratore, nga të cilat rreth 90 janë në Shkup.

Klinikat, theksoi ai, nuk do ta mbajnë koelgjiumin e rregullt të mëngjesit dhe profesional – do të koordinohen përmes telefonit.

Klinika për fëmijë në Kozle, theksoi Filipçe, do të përgatitet për pranimin e fëmijëve eventualisht të sëmurë nga koronavirusi.

“Të gjithë pacientet e hospitalizuar do të transferohen për mjekim në Klinikën për pediatri me qëllim që fëmijët të izolohen nga të rriturit dhe fëmijët tjerë të cilët mjekohen nga patologjia tjetër”, deklaroi Filipçe.

Qytetarët do të marrin sms porosi falas me njoftime për gjendjen dhe aktualitetet me koronavirusin, tha Venko Filipçe.

“Të gjitha porositë që do t’i marrin nga rrjetet e telekomit, janë valide dhe informojnë për gjendjen dhe aktualitetet, me ç’rast vlersojmë se ky është mekanizëm i mirë që të njoftojmë qytetarët lidhur me koronavirusin”, deklaroi ministri Filipçe.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se cilat qendra tregtare do të punojnë prej të hënës, ministri Filipçe tha se tërësisht janë mbyllur të gjitha qendrat e mbyllura tregtare, përveç marketeve, barnatoreve dhe shitoreve për ushqim.

“Qendrat e hapura tregtare, për shembull Qendra tregtare e qytetit, pastaj në Aerodrom dhe Karposh 3, janë hapur tërësisht. Do të punojnë normalisht edhe restorantet dhe të gjitha shitoret tjera, të cilat prodhojnë ushqim, duke përfshirë edhe restorantet në hotele, të cilët përgatisin ushqim, por pa mysafirë. Mund të bëhen dërgesa ose të marrin porosi përmes telefonit”, deklaroi Filipçe.

Qeveria ka shpallur gjendje krize në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Ndërsa presidenti Stevo Pendarovski e pranoi propozimin e Qeverisë së RMV-së, që për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit COVID-19, një pjese të pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut të angazhohen në përballjen me gjendjen e krizës në territorin e Dibrës dhe kufirit me Shqipërinë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka marrë vendim që të ndalohet hyrja në Maqedoninë e Veriut e atyre që vinë nga vendet me rrezik të lartë dhe të mesëm (kliko për ta parë listën), përpos atyre që do të marrin leje nga MPB-ja dhe do të përcillen me masa të larta sigurie.

KLIKO për të parë masat e tjera të qeverisë.

Presidenti Pendarovski njoftoi se tashmë ka caktuar takim të Këshillit të Sigurimit për ditën e hënë në ora 16:00, ku përveç anëtarëve standardë do të jetë i pranishëm edhe Ministri i Shëndetësisë dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Siç tha ai, në mbledhje do të diskutohet gjendja në vend me virusin korona si dhe të gjitha masat që  duhet të përgatiten në rast të përshkallëzimit të gjendjes.

Pendarovski gjithashtu njoftoi se shërbimet e Presidencës kanë detektuar grupe të organizuara për shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button