Qeveria thirrje për ndihmë të diplomuarve dhe studentëve të mjekësisë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u ka bërë thirrje të gjithë të diplomuarve në mjekësi dhe studentëve që të bëhen pjesë e sistemit shëndetësor për të luftuar ndaj përhapjes së coronavirusi. Znj. Manastirliu e bëri një thirrje të tillë në krah të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Arben Gjata. Ministrja tha se aplikimet mund të bëhen online në portalet, “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”.

“Çdo ndihmë shtesë që mund t’i vijë sot sistemit shëndetësor është padiskutim, e dobishme si kurrë më parë. Prandaj, dua të bëj një thirrje publike, për çdo profesionist që ka lidhje me fushën e shëndetësisë, mjek, infermier, farmacist, laborant, profesionist të shëndetit publik, të gjithë Ju që do të ndiheni të gatshëm për të kontribuar për menaxhimin e situatës, për t’i dhënë një dorë, për të shërbyer në sistemin tonë shëndetësor sot është pikërisht dita për ta dhënë këtë kontribut dhe për t’u bashkuar së bashku”, deklaroi znj. Manastirliu, transmeton EuroNews.

“Një thirrje për studentët e mjekësisë të cilët janë të ftuar gjithashtu për të na u bashkuar në këtë përpjekje, për të kapërcyer këtë situatë që mund ta përballohet vetëm nëse jemi të gjithë së bashku. Ndaj ftoj secilin prej jush që të na bashkohet në këtë luftë për të dhënë kontributin që vendi sot kërkon”, shtoi më tej ministrja e Shëndetësisë.

Dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Arben Gjata, ftoi studentët e mjekësisë në universitetet shqiptare, publike apo private për t’iu bashkuar nismës.

“Është një moment i rëndësishëm për të gjithë sistemin shëndetësor shqiptar. Ju padyshim që në të ardhmen do të jeni pjesa më vitale e këtij sistemi, jeni të ftuar të shërbeni që sot. Jeni të mirëpritur të gjithë në këtë sforco të madhe që do të bëjë gjithë shoqëria shqiptare dhe gjithë sistemi shëndetësor shqiptar”, u shpreh z. Gjata.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button