Spasovski: Gjendja në Dibër dhe Qendrën Zhupa është e qetë

Oliver Spasovki, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut sot në konferencë për media foli në lidhje me gjendjen në Dibër dhe Qendrën Zhupa pas shpalljes së gjendjes së krizës, transmeton Portalb.mk

Ai kërkoi nga qytetarët të mos krijojnë panik dhe të zbatohen rekomandimet e Qeverisë.

“Gjendja në Dibër dhe në Qendrën Zhupa ku është shpallur gjendje krize për shkak të koronavirusit mbrëmë, në mesditë është qetë, pa asnjë incident dhe lëvizje të popullatës. Janë ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet për përballje me përhapjen e koronavirusit, ndërsa të gjitha institucionet dhe ekspertët e angazhuar për përballen e planit të veprimit për implementimin e vendimit për gjendjen e krizës janë në terren”, deklaroi Spasovski.

Spasovski theksoi se janë marrë gjithë masat për parandalimin e përhapjes së virusit, duke sqaruar se edhe ekspertët dhe përfaqësuesit e institucioneve janë në teren. Në kuadër të këtyre aktiviteteve është formuar edhe një Shtab i përgjithshëm operativ për gjendjen e krizës.

“Në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale do të sigurohen të gjitha masat më të mira shëndetësore, si dhe kushte për jetë në gjendje krize. Do të sigurohen kushte që të funksionojnë kapacitete prodhuese për ushqim, pompa të benzinave, spitale, bankat dhe shërbimet komunale dhe posta do të punojnë me orar të shkurtuar”, deklaroi Spasovski.

Akoma në Dibër dhe Qendrën Zhupa vlejnë ndalesat për dalje të qytetarëve, përveç për rastet me ndihmën e parë kur rrezikohet jeta e qytetarëve, duke pas leje nga Ministria e shëndetësisë.

Ndryshe, Qeveria ka shpallur gjendje krize në disa vende të vendit, gjegjësisht në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë. Ndërsa presidenti Stevo Pendarovski e pranoi propozimin e Qeverisë së RMV-së, që për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit COVID-19, një pjese të pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut të angazhohen në përballjen me gjendjen e krizës në territorin e Dibës dhe kufirit me Shqipërinë.

Presidenti Pendarovski njoftoi se tashmë ka caktuar takim të Këshillit të Sigurimit për ditën e hënë në ora 16:00, ku përveç anëtarëve standardë do të jetë i pranishëm edhe Ministri i Shëndetësisë dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Siç tha ai, në mbledhje do të diskutohet gjendja në vend me virusin korona si dhe të gjitha masat që  duhet të përgatiten në rast të përshkallëzimit të gjendjes.

Pendarovski gjithashtu njoftoi se shërbimet e Presidencës kanë detektuar grupe të organizuara për shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në seancën e djeshme qeveritare ka marrë vendim që të ndalohet hyrja në Maqedoninë e  Veriut, e shtetasve nga Kina, Irani, Italia, Koreja e Jugut, Franca, Gjermania dhe Spanja, të cilat në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë shtet me rrezik të lartë nga virusi korona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button