Spanja shpalli gjendje të jashtëzakonshme

Spanja sot shpalli gjendje të jashtëzakonshme për 15 ditë pasi rastet e koronavirusit të ri (COVID-19) janë rritur në mbi 4.200, ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 120, raporton Anadolu Agency (AA).

Masa u bë e ditur nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili tha se qeveria të shtunën do të vendosë për masat që do të merren gjatë regjimit të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila i jep qeverisë më shumë kompetenca.

“Kjo është vetëm faza e parë e luftimit të këtij virusi… javët e ardhshme do të jenë shumë të vështira”, tha Sanchez në një adresim lidhur me koronavirusin.

Shkollat ​​tashmë janë mbyllur në gjithë vendin, ndërkohë që Madridi, Valencia dhe Katalonia do të mbyllin të gjitha baret, restorantet dhe palestrat që nga e shtuna.

Qytetarëve spanjollë u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin të gjitha udhëtimet e panevojshme, ndërsa qeveria po bën apel për përgjegjësi individuale.

Aktualisht, ekzistojnë pak kufizime në udhëtime, me përjashtim të një pjese të vogël të qyteteve të vogla që janë në bllokim.

Që nga e hëna, kur kishte 1.000 rezultate pozitive, numri i rasteve të konfirmuara pothuajse është duke u dyfishuar çdo dy ditë në Spanjë.

Shkolla në Londër e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale vlerëson se Spanja dhe SHBA aktualisht kanë normat më të larta të transmetimit në botë.

Spanja ende pritet t’i shohë rezultatet e masave të reja për ta parandaluar sëmundjen. Dita e sotme ishte dita e parë që u mbyllën të gjitha shkollat ​​në gjithë vendin.

Enrique Ruiz Escudero, anëtar i Këshillit Shëndetësor të Madridit, vlerëson se kulmi i rasteve në Spanjë do të jetë mesi i prillit. Ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa, ka thënë që transmetimi i sëmundjes do të zgjasë nga dy deri në katër muaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button