fbpx

OKB shpall ditën e vdekjes së Nënës Terezë, si Ditë e Bamirësisë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 5 shtatorin, ditën kur u shua e lumnuara Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, transmeton Ora News.

Ministria e Punëve të Jashtme përmes një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me të cilin, sipas saj, vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë. 

“Rezoluta, duke inkurajuar aktet e bamirësisë, bën thirrje që më 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë” thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Shqipëria, sipas MJ ishte një nga vendet kryesore sponsorizues të kësaj rezolute dhe Misioni ynë në Kombet e Bashkuara pati një rol kyç në miratimin me konsensus të saj.

“Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkësponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara” përfundon deklarata./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button