Napoli ndëshkohet për skandal të basteve

Është Napoli viktima e radhës e skandalit në një nga kampionatet më të bukur në botë. Komisioni i Disiplinës ka konfirmuar ndëshkimet për klubin dhe dy prej futbollistëve të saj më të rëndësishëm, përfshirë këtu edhe kapitenin Paolo Cannavaro. 

Kështu ka ardhur vendimi, që penalizon me dy pikë në tabelën e renditjes skuadrën si dhe pezullon me gjashtë muaj mbrojtësit Cannavaro dhe Grava. Shkak për këtë vendim është bërë tentativa për të trukuar rezultatin e ndeshjes Napoli- Sampdoria të luajtur më 16 maj të vitit 2010. Ndërmjetës i personave që merren me bastet e paligjshme ishte portieri i tretë në atë kohë Matteo Gianello. 

Ky i fundit është pezullur me tre vjet e tre muaj nga të gjitha aktivitetet sportive, ndërsa shihet si përgjegjësi direkt për këtë ngjarje. Trukimi nuk u bë, por Cannavaro dhe Grava u shpallën fajtorë si persona në dijeni të fakteve dhe për moskallzim të tyre. 

Ky vendim i Komisionit të Disiplinës ndëshkon edhe Napolin, që pas ecurisë së shkëlqyer në këtë sezon të Seria A e sheh veten në vendin e pestë të klasifikimit me 31 pikë. Gjithsesi, klubi i Napolit e ka cilësuar si të padrejtë këtë vendim dhe ka premtuar se do të ndjekë të gjitha shkallët e gjykatave për ta hedhur poshtë atë

Lajme të ngjashme

Back to top button