Si të bëhet raportimi i përgjegjshëm për virusin korona

Burimi: KriThink 

Virusi korona tashmë është shndërruar në ngjarjen më të madhe aktuale me interes botëror në media. Siç ka shqetësuar botën e shëndetësisë për shkak të përhapjes së shpejtë dhe pasojave, ka vënë në provë edhe profesionalizmin e mediave.

Shkruan: Fatlume Dervishi

Rregullat për profesionalizëm në raportim janë të njëjta si për secilin informacion tjetër të publikuar por mënyra e zbatimit të tyre duhet të përshtatet, kryesisht duke respektuar disa parime etike.

Ja disa udhëzime:

  • Të reduktohet përdorimi i mbiemrave subjektiv gjatë raportimit; shembull, të shmanget përdorimi i termit “virusi vdekjeprurës”, “virusi i tmerrshëm”, ose të tjera të ngjashme,

  • Të shmanget përshkrimi i detajuar i frikës dhe panikut që është përhapur në opinion, kjo mund të nxisë shtimin e tyre,

  • Të bëhet përzgjedhje e duhur e fotografive për të shmangur përhapjen e mesazhit të gabuar,

  • Të bëhet kujdes me fotografitë me të prekurit ose fotografitë e viktimave,

  • Sqarimi i masave parandaluese e bën storjen më pak të frikshme,

  • Storjet statistikore janë më pak të frikshme se sa rrëfimet,

  • Të shmangen titujt bombastik dhe të përdoret kreativiteti në prezantim,

  • Të mos identifikohen të infektuarit dhe të mos linçohen publikisht ato vetëm pse janë të infektuar,

  • Gazetarët duhet të rikujtojnë në vazhdimësi se për shumicën e njerëzve, virusi nuk ka pasoja fatale,

  • Të rekomandohet vazhdimisht zbatimi i masave parandaluese të sugjeruara nga ekspertët.

Tani më njerëzit e kanë kuptuar se bëhet fjalë për një çështje serioze kështu që gazetarët mjafton t’u përmbahen fakteve me gjakftohtësi.

Përskaj këtyre parimeve që vlejnë për gazetarët dhe mediat, lexuesit në disa raste e kanë të vështirë të bëjnë dallimin mes informimit profesional dhe atij sensacional. Prandaj rekomandimi kryesor për lexuesit është që të zgjedhen media profesionale, burime zyrtare dhe të besueshme.

Në vendin tonë, institucioni përgjegjës që në vazhdimësi ndjek situatën dhe merret me të është Ministria e Shëndetësisë. Në faqen elektronike të këtij institucioni, vazhdimisht publikohen të dhënat e fundit nga kontrollet e personave të infektuar, testimi i personave me simptome të dyshimta dhe gjendja e personave të izoluar. Ky institucion është burim kryesor informacioni edhe për mediat në vend. Gjithçka që nuk është konfirmuar nga ministria nuk vlen për të qenë informacion i besueshëm.

Informacionet në kohë reale publikohen edhe në faqen zyrtare të ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, në facebook ose në faqen e ministrisë në twitter.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kjo sëmundje është cilësuar si pandemi (sëmundje me përhapje të gjerë në disa vende të botës). Duke qenë një shqetësim global, burim kryesor informacioni për pasojat e sëmundjes në botë dhe masat parandaluese i publikon pikërisht OBSH-ja. Në faqen elektronike të tyre, qytetarët mund të marrin gjithmonë informacione rreth virusit, parandalimit ose pasojave të tij në botë. Kjo organizatë përditëson në vazhdimësi hartën me vendet më të prekura, radhitjen e vendeve sipas numrit të viktimave, masat parandaluese, rezultatet e studimeve të reja rreth virusit Covid 19 dhe sugjerime nga ekspertë botëror të specializuar për këtë virus.

Për mediat tona është pak më e vështirë të gjenden ekspertë që do të flasin për këtë sëmundje duke qenë se bëhet fjalë për virus të ri dhe të panjohur dhe nuk ka mjaftë doktorë të specializuar për Covid 19. Prandaj edhe mendimet e ekspertëve ose mjekëve duhet të përdoren me kujdes nga mediat.

Gjatë ditëve të kaluara ka pasur mjaft raste të lajmeve të rreme për virusin. Kjo mund të shkaktojë frikë të pabazë tek lexuesit.

“Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët, përdorues të rrjeteve sociale të mos shpërndajnë lajme të pakonfirmuara ose të rrejshme për virusin Covid 19, me të cilët krijohet shqetësim dhe panik mes qytetarëve… Keqpërdorimet e këtilla do të sanksionohen me ligj sepse në këtë mënyrë shqetësohen qytetarët dhe krijohet panik i panevojshëm… Apelojmë tek mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale të thirren vetëm në informacione të publikuara zyrtare nga institucionet kompetente.” – thuhet në thirrjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gazetarët nuk mund ta mbulojnë ngjarjen duke qenë të vetëizoluar. Është e patjetërsueshme që ato të dalin në terren dhe ta shohin gjendjen. Kjo rrezikon edhe kontaktin me virusin dhe infektimin. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka publikuar një udhëzues për gazetarët që mbulojnë ngjarjet të cilat kanë të bëjnë me virusin.

Udhëzimi kryesor për këto gazetarë është përdorimi i dorezave mbrojtëse në rast se vizitojnë vende me pajisje mjekësore për trajtimin e sëmundjes. Në raste më të komplikuara, duhet të përdoren pajisje të tjera mbrojtëse si kostum të posaçëm për trupin dhe maskë në fytyrë.

Mungesa e informacionit e bën ngjarjen më të frikshme kurse informacionet gjysmake, të pasakta, të pakonfirmuara ose të rrejshme mund ta shtojnë edhe më shumë frikën në mesin e njerëzve. Ky nuk është qëllimi i institucioneve dhe aq më pak i mediave, në këto raste. Frika dhe paniku në mesin e masës nuk është në shërbim të askujt.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button