Ivanov qorton Tiranën e Prishtinën

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorgje Ivanov sot para deputetëve dhe korit diplomatik, në fjalimin e fund-vitit, u shërbye me ton të ashpër dhe akuza drejt shteteve fqinje dhe opozitës vendase. Ivanov i cili disa javë më parë refuzoi ftesën për pjesëmarrje në manifestimin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar në Tiranë, sot nga foltorja e Kuvendit tërthorazi gjykoi fjalimet e liderëve shqiptar në manifestimin qendror në Shkup më 25 nëntor.

“Edhe gjatë këtij viti ndaj Republikës së Maqedonisë u dërguan deklarata absurde dhe ofenduese nga disa politikanë të paktë “kujdestarë” nga fqinjësia, për marrëdhëniet tona ndër-fqinjësore dhe ndëretnike. Ne nuk ramë në asnjë provokim. Populli jonë gjatë shekujve të kaluar, shumë ka përjetuar dhe mbijetuar. Ka fituar shumë guxim, gjallëri dhe forcë. Ata deklarata për përdorim politik-ditor, as që kanë mundur, e as në të ardhmen nuk do të mund ti prishin marrëdhëniet shekullore ndër-fqinjësore të popujve në këtë rajonin tonë. Lidhjet tona me fqinjët janë të thella, ata janë familjare, miqësore, afariste, sportive, kulturore, lidhje shpirtërore… Asnjë paraqitje e ndonjë individi të etur për pushtet me çdo çmim, nuk mund ta ndryshojë këtë. Nëse dikush mendon se me sjellje të atillë mund ti ndajë dhe acarojë qytetarët e Republikës së Maqedonisë me siguri nuk e din se se për çfarë populli të mençur dhe të moderuar bëhet fjalë” – tha Ivanov.

Presidenti konstatoi se në rajon akoma janë gjallë idetë e shteteve të mëdha, ndërsa shtoi se me Marrëveshjen e Ohrit është ndërtuar model i integrimit dhe jo asimilimit.

“Nuk guxojmë asnjëherë që të lejojmë të vihen në pikëpyetje marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Të gjitha bashkësitë në Republikën e Maqedonisë me shekuj kanë jetuar bashkë në frymën bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë. Edhe pse është thënë, do të përsëris: Me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit arritëm nivel më të lartë të mirëkuptimit, respektit dhe tolerancës. Ndërtuam edhe model i cili synon integrimin dhe jo asimilimin. Nevojitet përmbajtje strikte rreth parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe rrjedhjen e procesit politik në këtë kornizë” – tha Ivanov.

Numri një i republikës gjithashtu foli edhe për incidentet ndëretnike që shënuan vitin që po e lëmë pas. 

Fjalimin e Ivanovit e bojkotuan deputetët e PDSH-së dhe RDK-së. Nga PDSH përsërisin qëndrimin e tyre se që nga fillimi i mandatit të presidentit ata nuk e njohin kryetarin Ivanov si kryetar të tyre dhe të shqiptarëve, për shkak se nuk është zgjedhur me votat e shqiptarëve.

Ndërkaq, deputetja e RDK-së Flamure Demiri Kreci tha se arsyeja e bojkotit të RDK-së është anashkalimi i interesave të shqiptarëve nga presidenti Ivanov si dhe nënçmimi që i bëri popullit shqiptar me mos pjesëmarrjen në manifestimin në Tiranë.

“RDK nuk e pa të udhës të jetë e pranishme në fjalimin e presidentit të RM-së, z Gjorgje Ivanov për disa arsye, e para, presidenti Ivanov edhe pse u zgjodh në këtë post me votat e shqiptarëve ai asnjëherë nuk ka prezantuar nevojat dhe interesat e popullit shqiptar. Presidenti Ivanov nuk është president i Maqedonisë por është president i vetëm një parie, gjegjësisht president i VMRO-së dhe punon direkt me direktivat e kryeministrit Gruevski. Presidenti Ivanov nënçmoi popullin shqiptar dhe historinë e tij duke mos shkuar në manifestimin qendror që organizohej në Tiranë me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar” – tha Demiri Kreci.

Për VMRO-në fjalimi i presidentit ishte fjalim tipik i një burrështetasi, ndërsa LSDM e cilësoi si fjalim të një zëdhënësi të kryeministrit Gruevski e jo të një kryetar shteti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button