Pse BDI në vend të alternativave na jep konkluzione?

Përkundër bllokimit të proceseve euro-integruese, por edhe për të gjitha çështjet tjera me peshë në Maqedoni, subjekti shqiptar në Qeveri shpalos konkluzione në konferenca për shtyp në vend të alternativave politike dhe hapave konkrete.

Kështu analistët e komentojnë sjelljen e partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim pas vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian mos ti caktohet datë bisedimesh Maqedonisë por të pritet deri në pranverë të zgjidhet emri. Sipas tyre, shkak kryesor për këtë është pafuqia politike e shqiptarëve në Maqedoni, të cilët si subjekte individuale nuk kanë fuqi vendimmarrëse.

Albert Musliu shprehet se është punë e pushtetit që të mundohet të reflekton pozitivisht në rajon çdo proces politik, mirëpo në fakt mbetemi të bllokuar, konkretisht në euro-integrimet.

“Për ne është me rëndësi se procesi eurointegrues është i bllokuar, ne nuk morëm datë, dhe tani shkak për ndonjë entuziazëm të madh nuk ka. Unë e kuptoj se partitë në pushtet tentojnë të tregojnë entuziazëm dhe ta promovojnë Raportin e fundit dhe konkluzionet e fundit duke i interpretuar si pozitive, por Maqedonisë në këtë gjendje që është nuk i nevojiten procese të ngadalshme, i nevojiten progrese të shpejta. Korniza kushtetuese në Maqedoni është ashtu që shqiptarët nuk e kanë fjalën kryesore, por jo rrallë herë edhe nuk e kanë kapacitetin që ta promovojnë vetveten si vendimmarrës në të gjithë ato procese” – tha Musliu.

Alajdin Demiri është i mendimit se konkluzionet e BDI-së për anëtarësimin në BE, mos marrja e datës për negociata, edhe njëherë e shprehin apatinë e BDI-së.

“Ato nuk kanë qëndrim, edhe njëherë kërkojnë që të blejnë kohë, edhe njëherë duan të theksojnë se do të punojnë për anëtarësim për BE dhe në NATO, por në të vërtetë ata nuk bëjnë asgjë. Ata janë të trishtuar dhe të frikësuar dhe nuk kanë kurajo para partnerëve të koalicionit, nuk kanë ide se çfarë mund të ofrojnë për anëtarësim. Kjo politikë e BDI-së është më bajat dhe e pakuptimtë dhe gjithsesi se ata nuk kanë asnjë vizion politik për të bërë politikë sidomos për anëtarësim në NATO dhe BE”- tha për Portalb Alajdin Demiri, analist politik.

Për Albert Musliun që shqiptarët të jenë faktor në vendimmarrje dhe bartës të proceseve kyçe në Republikën e Maqedonisë, duhet të ketë kohezion mes partive shqiptare, në mënyrë që të arrijnë fuqinë politike me të cilën do të dalin karshi politikave maqedonase.

“Ka dy tendenca, partia në pushtet tenton ta promovojë gjendjen si zhvillim, partia në opozitë tenton ta promovojë gjendjen si katastrofale. Këtu te ne mungon vizion konkret se si të realizohet. Duhet të rrisin nivelin e bashkëpunimit subjektet politike shqiptare, me qëllim që të bijnë qëndrim mbarëshqiptar, se ne shqiptarët e kërkojmë këtë, dhe pa u bë kjo, ne do ta bllokojmë procesin politik” – deklaroi Musliu.

Të dy analistët mendojnë se shqiptarëve u rrugëdalje nga kjo situatë, gjegjësisht ndikim për zhbllokim të eurointegrimeve. Një gjë të tillë e thonë edhe ekspertët e huaj.  Janusz Bugajski, ekspert amerikan për Ballkanin vlerëson se është koha që shqiptarët e Maqedonisë të ngrenë zërin që të mos mbesin rob i izolimit të Maqedonisë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button