Kurora në kokat tona

Shkollat u mbyllën, universitetet po ashtu. Mësimin e zhvillojmë online nga shtëpia. Institucionet punojnë me kapacitete të përgjysmuara. Nëse nuk të mbyt virusi, të mbyt nonshalanca dhe mungesa e vetëdijes për rrezikun që mund ta bartim për të tjerët.

Është e qartë që situata nuk është për t’u marrë me neglizhencë por me qetësi duhen zbatuar masat e parapara të kujdesit preventiv. Gjithmonë kanë thënë që gjë më e mirë është të parandalohet sëmundja se sa e njëjta të shërohet. Edhe me këtë virus që duket se nuk ka pasoja fatale mbi grupmosha të caktuara është njësoj. Mund të mos i bëjë gjë dikujt por dikujt tjetër po. Prandaj është me rëndësi të sillemi me kujdes dhe me vetëdije. Të risim kulturën për higjienë personale, të kujdesemi për veten dhe për të tjerët, të zbatojmë me kujdes masat e përcaktuara nga ata që janë më të informuar se ne në këtë çështje.

Prandaj edhe pas gjithë këtyre ditëve ende nuk e kam të qartë veprimin e ish drejtoreshës së Klinikës së dermatologjisë në Shkup. Vendosja në rrezik e personave për një periudhë aq kritike kohore është vërtet e pafalshme, veçanërisht kur vjen nga një person që është vet mjek. Nuk e kuptoj atë nonshalancë ndaj të tjerëve, atë mungesë kujdesi, atë arrogancë me të cilën shkohet në seminar dhe vendoset rrezik infektimi për të gjithë pjesëmarrësit. Si që ceka më herët, nëse nuk të vret virusi të vret pakujdesia ndaj të tjerëve.

Ajo që është për t’u përshëndetur në këtë gjendje është menaxhimi shumë i suksesshëm i situatës së krijuar nga ana e Ministrisë së shëndetësisë. Nuk është situatë e lehtë për t’u tejkaluar, nuk është e lehtë të kontrollohet paniku që përhapet gjithandej, me ose në të shumtën e rasteve pa nevojë. Nuk është e lehtë të mbahet situata nën kontroll kur në një vend si Italia e njëjta situatë ka eskaluar në atë masë.

Prandaj le të mbetemi të qetë dhe secili prej nesh le ta bëjë atë që i takon. Të lajmë duart vazhdimisht, të mësojmë edhe fëmijët tanë të mbajnë higjienën personale, të kujdesemi për veten dhe për të tjerët dhe të ruajmë qetësinë.

Fundja edhe kjo situatë do të kalojë pavarësisht që bëhet fjalë për pandemi botërore. Ajo që nuk duket se do të kalojë së shpejti është korona në mendjet tona: ajo kurorë e energjisë negative që i zbukuron kokat tona sa herë që ka debate politike ose çfarëdo lloj komunikimi mes nesh. Mënyra shprehjes vulgare gjatë kampanjave politike parazgjedhore, ofendimet e gjithanshme nga të gjithë për të gjithë, muhabetet e debateve televizive që më tepër u ngjajnë zënkave të çajtoreve se bisedave intelektuale, janë këto gjërat prej të cilave duhet të pastrohemi shpirtërisht, ashtu si i pastrojmë duart nga frika e virusit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button