Të digjitalizohet mësimnxënia në kohën e virusit korona në RMV

Nuk është zgjidhje vetëm të miratohet vendim se ndërpritet procesi arsimor në shkolla. Nxënësit duhet të mësojnë edhe në kushte emergjence, kështu tha mësimdhënësi Satki Ismaili, i cili kërkon që të vendoset urgjentisht praktika e të mësuar online. Edhe nga shoqëria civile pajtohen me këtë propozim, Hodai tha se ky “pushim” nuk duhet shfrytëzuar për kafene. Nga MASH thanë që po punojnë në këtë drejtim, njofton Portalb.mk.

Rëndësinë e të mësuarit online, Satki Ismaili  e vërteton kështu duke përmendur shembuj që në mënyrë të suksesshme tanimë e realizojnë këtë. Ai shtoi se këta shtete me javë paraprakisht kanë punuar për përgatitjet e mësimit në distancë.

“Derisa shtetet e përfshira me këtë lloj Virusi paraprakisht kanë hartuar strategji se si do të realizohen aktivitetet arsimore në kushte emergjence, në RMV nuk kemi asnjë informatë shtesë për aktivitetet të cilat duhen të zhvillohen në bashkëpunim MASH-BZHA-shkollë-mësimdhënës-nxënës-prind, përveç mirëmbajtjes së higjienës në shkollat e boshatisura. Praktikat e shumë vendeve në këtë kohë kur mësimi nuk zhvillohet në shkolla, tregojnë se me javë janë bërë përgatitjet për mësim në distancë të nxënësve duke ditur se do të ballafaqohemi me këta sfida. Shembuj janë disa vende e në veçanti Kroacia ku më pak është prekur me këtë Virus por kanë “ndërprerje në shkolla” të procesit mësimor në disa rajone, por procesi mësimor faktikisht nuk ndërpritet por zhvillohet në distancë online. Për një mësim në distancë duhet përgatitje paraprake të realizon shteti dhe të merr përvojat e shteteve tjera, e jo si gjithmonë të na befasojnë paraqitjet emergjente” tha Satki Ismaili.

Satki Ismaili.
Satki Ismaili.

Satki Ismaili gazetarit të Portalb.mk ia shpjegoi formën se si mund të ishte realizuar kjo, të njëjtën e prezantoi si diçka të realizueshme dhe aspak të ndërlikuar por siç tha vet ai, mjafton vetëm vullneti dhe dëshira për mësim.

“Mësimdhënësit disponojnë programet mësimore dhe realizimi i tyre duhet të bëhet me komunikim online me nxënësit e klasës ku jep mësim. Kjo arrihet në përmjet të formimit klasës virtuale me platforma të ndryshme arsimore siç janë Moodle, Yammer, Teams, Edmodo, Onenote Classroom ndërsa komunikimi mund të bëhet nëpërmjet Skype ku të gjithë nxënësit njëkohësisht janë në komunikim dhe zhvillohet bashkëveprim vizual në lidhje me aktivitetet që zhvillohen në kohë reale ose udhëzime për atë se cilat aktivitete ti realizojnë në mënyrë të pavarur dhe si ti realizojnë ato” tha Satki Ismaili.

Blendi Hodai
Blendi Hodai duke folur para mikrofonit

Sipas Blend Hodait nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme kjo periudhe kohore nuk duhet të shfrytëzohet për qëndrim në kafene apo vende publike, por meqenëse nuk ekziston ndonjë program arsimor i hartuar paraprakisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas tij kjo kohë do të keqpërdoret nga të rinjtë.

“ Ndalja e përkohshme e procesit arsimor nuk nënkupton që të qëndrojmë në kafe dhe vende publike por përkundrazi të përkujdesemi për veten dhe të tjerët.  Çdo vend, në rast të ndonjë fatkeqësie ose përhapjes së pandemisë e parasheh që mësimin ta zhvilloj me E-Learning për të mos humbur shumë nga zhvillimi i plan programeve por Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) vazhdimisht është duke treguar sesa jo-kompetent janë ato në menaxhimin e ndonjë situate si kjo e tanishmja me covid-19. MASH- duhet të dijë që ditët e humbura nuk kanë efekt të zëvendësohen vikendeve e hiç më pak pas 10 Qershorit. Duhet krijuar komisione që të gjejnë alternativa sesi do të zëvendësohen ditët e humbura” theksoi Blend Hodai për Portalb.mk.

Arbër Ademi
Arbër Ademi

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës potencuan se ende nuk kanë plan konkret për këtë, mirëpo sipas tyre, vazhdimisht janë duke punuar në gjetjen e metodës më të mirë për mësim online të nxënësve.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me institucionet tjera të interesuara, aktualisht është duke punuar në definimin e zgjidhjes më të mirë në mënyrë që nxënësit të mos e humbin kohën gjatë pushimit për shkak të virusit korona. Ju informojmë se po i shqyrtojmë të gjitha opsionet, përvojat dhe masat të cilat tanimë përdoren nga disa shtete të rajonit dhe më gjërë (mësimi online, emitimi i materialeve edukative në televizionet nacionale e kështu me radhë). Kështu që, vendimi përfundimtar do të merret gjatë ditëve në vijim” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb.mk.

Për shkak se nxënësit e Shkollave të Mesme kanë aftësi më të theksuara të teknologjisë, sipas propozuesit të kësaj ideje Satki Ismaili, për ata do të ishte shumë më lehtë i realizueshëm ky program. Kurse për nxënësit e shkollave fillore të ciklit të lartë ai tha se mund të shfrytëzohen platforma arsimore që tanimë përdoren në shumë vende të botës siç janë Edmodo, Onenote Classroom.

Satki Ismaili shumë shpesh ka folur për rëndësinë e teknologjisë në mësimdhënie. Ai për Portalb.mk tha se nga praktika e tij personale mund të konkludohet se shumë nxënës në Maqedoninë e Veriut tanimë posedojnë mjaftë aftësi digjitale për realizimin e aktiviteteve të këtilla dhe jo vetëm në raste emergjence.

Ndryshe, në Shqipëri është krijuar një kanal në “Youtube” ku çdo ditë transmetohen ligjërata nga mësues të lëmive të ndryshme, të njëjtat mund të ndiqen live nga nxënësit e interesuar. Në Kroaci po ashtu një numër  madh i ligjëratave mbahen online, kurse pjesa tjetër përmes televizionit nacional të këtij shteti. Metoda e ngjashme përdoret në Greqi dhe disa shtete tjera të rajonit e më gjërë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button