Qeveria kundër Qeverisë, lajmi është dezinformatë

Burimi: KriThink 

Nuk është e zakonshme që në një shkrim gazetaresk, një institucion të flasë kundër strukturës së tij, ta kritikojë punën e tij dhe të thotë kaq hapur, me fjalë të tjera, se nuk e meriton të ketë pushtetin që ka. Teksti i recensuar, pikërisht për shkak të përmbajtjes, është i rrallë. Përveç se ka komente, ai ka shumë informacione të dyshimta… dhe të pavërteta.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: LSDM frikësohet nga zgjedhjet, kërkon shpëtim nga Koronavirusi

Data e publikimit: 11.03.2020

Data e recensionit: 11.03.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

Tekst me komente

Komentet e gazetarit fillojnë që nga titulli i cili ka konstatuar se “LSDM frikësohet nga zgjedhjet, kërkon shpëtim nga Koronavirusi”. Titulli nuk ka thonjëza, nuk i atribuohet askujt, është konstatim i gazetarit. Komente ka edhe në tekst. Autori shkruan se LSDM-ja, “duket se me çështjen e koronavirusit, dëshiron të fshehë dështimin eventual më 12 prill”.

Qeveria kundër pushtetit

Teksti, për nga aspekti strukturor dhe përmbajtjesor nuk është aspak i qartë. LSDM-ja është partia e parë në Qeveri. Autori shkruan se të gjitha kritikat që i ka cituar për LSDM-në, vinë nga Qeveria. Ai e ka cituar Qeverinë, sikur të kishte dhënë qëndrime zyrtare kundër LSDM-së.

“Arsyeja e vërtetë për shtyrjen e zgjedhjeve, siç thonë në Qeveri, nuk janë masat për mbrojtjen nga koronavirusi, por mbështetja e vogël e LSDM-së krahasuar me mbështetjen që VMRO-DPMNE ka tek elektorati maqedonas.
Në fakt, panikun më të madh po e shkakton Qeveria, konkretisht LSDM, e cila tashmë e ka parë veten keq në anketat që vet ajo i ka realizuar për zgjedhjet e 12 prillit. Fitorja në zgjedhjet e 12 prillit, sipas anketave edhe të LSDM-së, i takon VMRO-së dhe kjo është arsyeja pse LSDm po kërkon mbështetje për të shtyrë zgjedhjet”, thonë në Qeveri” – shkruan në tekstin që recensojmë.

Kujdes! Këto qëndrime nuk vinë nga burime jozyrtare brenda qeverisë, nuk vinë nga burime anonime, por sipas autorit të shkrimit, vinë nga Qeveria.
Në këtë mënyrë autori e ka shkruar të gjithë tekstin. Nuk dihet se nga vinë këto informacione ose konstatime. Mes rreshtash ka përmendur edhe një brifing me kryeministrin Oliver Spasovski, zëvendëskryeministren, Milla Carovska, dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, por nuk e ka qartësuar nëse gjërat që i ka shkruar i kanë thënë funksionarët e lartpërmendur. Në fakt, është jashtë çdo logjike që t’i kenë thënë. Kjo është e dyshimtë. Kjo është gënjeshtër.

Në prag të takimit të liderëve, LSDM-ja është shprehur për shtyrjen eventuale të zgjedhjeve si pasojë e përhapjes së virusit. Ajo është cituar nga mediat tjera por jo nga ky gazetar në këtë tekst.

Në këtë moment, për shtyrjen e zgjedhjeve nuk bëhet fjalë. Sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat ne i ndjekim, nuk bëhet fjalë për një gjë të tillë. Shpresoj që nuk do të vijë puna deri aty dhe në 12 prill të ketë zgjedhje. – citojnë mediat.

Teknikat e manipulimit

Përveç përdorimit të patolerueshëm të komenteve të gazetarit në lajm, është përdorur teknika e thirrjes në autoritet. Njerëzit kanë më shumë prirje të besojnë diçka nëse ajo është thënë nga dikush relevant për atë gjë. Prandaj autori ka vendosur që vazhdimisht t’i referohet Qeverisë, për diçka që qartësisht nuk është thënë nga Qeveria. Autori ka paraqitur edhe dëshmi selektive. Ka shmangur qëndrimin zyrtar të LSDM-së për shtyrjen e zgjedhjeve. Teknikat sqarohen në Doracakun e Crithink-ut.

Për lexuesit

Lajmet e rreme dhe përmbajtjet rreme janë sfidë për besueshmërinë ndaj mediave. Por në raste si ky, kur teksti nuk ka as logjikë, është shumë e qartë se nuk duhet t’i besohet. Autori ka shmangur qëndrimet zyrtare dhe ka shkruar përmbajtje subjektive duke ja atribuuar rrejshëm një burimi zyrtar. Shembujt e këtillë janë rezultat e një pune joprofesionale dhe të njëanshme të gazetarit.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button