Shqipëri, masa të reja kundër përhapjes së koronavirusit

Institucionet e ndryshme në Shqipëri vazhdojnë të marrin masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), i cili në vend ka shkaktuar edhe viktimën e parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë, patrullat policore në bashkëpunim me patrullat ushtarake, janë angazhuar në pika kontrolli në disa qytete të vendit, në kuadër të zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në kuadër të masave shtesë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi në rrjetet sociale se nga sot në mesditë nuk ka transport urban në Tiranë dhe Durrës pa specifikuar një afat, ndërsa sipas tij do të ketë transport të dedikuar për mjekët dhe infermierët.

Gjithashtu Rama ka njoftuar se “Nga e premtja në 06:00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe atyre të transportit ndërurban drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas nga Tirana dhe Durrësi drejt zonave të tjera të vendit. Nga e premtja në 06:00 deri të dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private në Tiranë dhe Durrës, do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Lushnje, Fier dhe Vlorë”.

Në ditët e fundit institucionet në vend kanë marrë disa masa, duke përfshirë mbylljen e të gjitha bareve, restoranteve dhe klubeve, fillimisht në Tiranë dhe Durrës, dhe mbylljen në të gjithë vendin të ambienteve si lokale nate, disko, qendra sportive, pishina, qendra kulturore, qendra sociale dhe pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore.

Në gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.

Ndërkohë, edhe Kuvendi i Shqipërisë ka anuluar seancën e sotme plenare, ndërsa Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur deri më 23 mars 2020 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore. Ndërkaq, nuk do të ofrohen më shërbime nëpër sportelet e institucioneve për të gjitha aplikimet që ofrohen edhe online.

Gjithashtu është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas. Ky vendim, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prek vetëm transportin e pasagjerëve, pasi do të vijojnë normalisht lundrimet e anijeve tregtare dhe fluturimet e avionëve të mallrave.

Në kudër të masave, aktiviteti futbollistik në Shqipëri do të vijojë, por ndeshjet do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në Shqipëri janë 15 raste të identifikuara me koronavirus, përfshirë edhe të moshuarën që ndërroi jetë më 11 mars.

Numri global i vdekjeve nga koronavirusi ka tejkaluar shifrën 4.600, me mbi 124.500 raste të konfirmuara, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli koronavirusin një pandemi globale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button